Maqedoni

Misajllovski: Vazhdojnë investimet në infrastrukturën rrugore

14.02.2017 14:45

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Vllado Misajllovski, paralajmëroi ndërtimin apo rikonstruimin brenda këtij viti të 40 rrugëve, që përfshijnë autostrada dhe rrugë rajonale dhe lokale...

Për sivjet është planifikuar edhe fillimi i ndërtimit të tre rrugëve të reja të shpejta në gjatësi prej mbi 100 kilometra, një investim prej rreth 250 milionë eurosh.
 
Momentalisht punohet edhe në katër rrugë rajonale, ndërsa do të fillojë ndërtimi dhe rikonstruksioni i 37 rrugëve të tjera, për të cilat janë paraparë mbi 55 milionë euro, theksoi Misajllovski.
 
“Do të rikonstruohet autostrada nga Velesi deri në Gradsko në gjatësi prej 20 kilometrave dhe nga Shkupi deri në Kumanovë në gjatësi prej 22 kilometrash, për çka investimi kushton 7,8 milionë euro, të siguruara përmes Programit IPA. Në vijim të projektimit janë dy autostrada të reja, nga Gostivari deri në Kërçovë dhe nga Shkupi deri në Bllacë, me ç'rast do të konfirmohet konstruksioni financiar dhe do të zgjidhet modeli për financim”,- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Vllado Misajllovski.
 
Në aktivitetet e planifikuara për kuartalin e parë të këtij viti,  Misajllovski numëroi edhe fillimin e ndërtimit të rrugëve të shpejta nga Shtipi deri në Koçan, nga Shtipi deri në Radovish dhe nga Rankovca deri në Kriva Pallankë.
 
BESIM ABDULLAI