Maqedoni
Ndotja e ajrit në Tetovë, qytetarët: Të gjithë kanë faj, duhen masa urgjente
14.02.2017 17:15
Tetovarët nuk e kanë pritur mirë renditjen e re të qyteteve të ndotura të bërë publike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në të cilën Tetova zë vendin e parë në Europë....

Ata kërkojnë masa urgjente dhe afatgjata, sepse masat ad-hok nuk po tregohen efikase. Fajin, sipas tyre, e kanë të gjithë, jo vetëm industria.
"Si e kanë radhitur ashtu është”,- theksoi një qytetar.
“Ne si qytetarë i dëgjojmë lajmet, gjithmonë janë Kumanova, Shkupi, Tetova më të ndoturat… Institucionet na kanë lënë pas dore, e shohim vetë, popullatë heq”,- tha një qytetar.
“Fajtorë janë të gjithë, ishte problem “Jugohromi”, “Jugohromi” u ndërpre, tani ka probleme të tjera, komunikacioni i madh si dhe qytetarët, mbeturinat… Ne mendojmë se duhet të merren masa, po kush duhet t’i marrë ato masa, komuna apo qeveria, dikush duhet ta rregullojë këtë punë”,- u shpreh një qytetar.
“Ndotja është tek vetë njerëzit, nuk është vetëm tek “Jugohromi”. Unë kam punuar në “Jugohrom” para 20 viteve, kam punuar në mjekësinë plastike, na kanë dërguar atje, me të vërtetë kushtet janë të renda, se punohet me metale të rënda, mirëpo nuk është vetëm “Jugohromi”, njerëzit, ne qytetarët duhet ta bartim barrën më të madhe”,- deklaroi një qytetar.
Qytetarët thonë se ndotja e lartë ndjehet në shëndetin e tyre, sidomos te fëmijët.
“Si nuk na pengon, të gjithëve iu pengon, por moshatarëve, atyre të cilët kanë sëmundje kronike më së shumti, fëmijëve”,- theksoi një qytetar.
“Tek fëmijët ndikon më tepër. Shëndeti është pikë e parë, si mos të kemi shëndet, asgjë tjetër nuk kemi, e ardhmja jonë është fëmija, po e shohim se janë duke vdekur se e tregojnë numrin… Dëgjojmë se vdesin nga ajri i ndotur”,- tha një qytetar.
Nga “Eco Guerrila” thonë se duke u marrë me grimcat PM-10, po lihet pas dore matja e grimcave PM 2.5, që janë edhe më të rrezikshme.
“Edhe pse në Tetovë nuk bëhet matje e rregullt e grimcave PM 2,5, kjo është shqetësuese për ne. Ne luftojmë fuqishëm që ky numër të ulet edhe më shumë, duke përkujtuar që faktorët e tjerë të ndotjes janë mospasja e energjive alternative për ngrohje, deponia e qytetit, mospasja e transportit publik, numri i madh i veturave pa eko-standarde, pluhuri i madh nëpër rrugë etj. Organet kompetente shume pak i kanë lëvizur gjërat në këtë drejtim, që do duhej të ishte prioritet!”,- thonë nga “Eco Guerrilla”.
GAZMEND KURTISHI
