Botë
Australi, temperaturat në ekstrem, regjistrohen 47 gradë
14.02.2017 17:33
Bën kaq nxehtë në Birdsville të Australisë, sa mund të skuqësh një vezë mbi kofanon e makinës...

Dhe kjo nuk është shaka. Një video e postuar në faqen e “Facebook”-ut të policisë së Queenslandit tregon se si një polic vendos tiganin mbi makinën e tij të parkuar në pikun e diellit dhe thyen një vezë.
E kotë të thuhet se skuqja është vetëm çështje sekondash. Videoja e realizuar në dunat e kuqe të shkretëtirës Simpson të Queenslandit ka marrë më shumë se 3 milionë klikime brenda 5 ditëve.
Byroja australiane e meteorologjisë thotë se që nga 26 janari deri në 12 shkurt, gjatë pasditeve termometri në Birdsville nuk ka shënuar më pak se 41 gradë celsius. Në këtë periudhë të vitit, temperaturat atje luhaten zakonisht tek 38 gradët, por të dielën arritën rekordin 47.1 C.
I nxehti ekstrem i shkretëtirës ka mbërritur deri në kryeqytetin e Australisë, Canberra, ku fundjava u shoqërua me një vapë mbytëse.
