Maqedoni

BDI shqyrton dokumentin e LSDM-së

14.02.2017 18:03

Në selinë e integristëve po shqyrtohen materialet e dorëzuara nga social-demokratët...

Nga BDI nuk dëshirojnë të deklarohen për TMV2, por për mediat e tjera thonë se “BDI ka konsideratë për rëndësinë që ka ky vendim dhe prandaj shqyrton thelbësisht dhe gjerësisht çdo probabilitet, çdo avantazh dhe çdo pasojë që mund të ketë përcaktimi ynë”. 
 
Nga LSDM thonë se dorëzimi i dokumentit do të mundësojë grumbullimin e shpejtë të nënshkrimeve të cilat kërkohen nga kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov, për t’ia dhënë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, për formimin e Qeverisë.
 
As BDI e as LSDM nuk njoftojnë për përmbajtjen e materialeve. Nga BDI thonë se do të diskutojnë pikat e dokumentit edhe me partitë e tjera shqiptare.
 
Nga koalicioni “Aleanca për shqiptarët” thonë se nuk kanë asnjë ftesë zyrtare për takim me BDI-në deri në këto momente.
 
Nga Lëvizja “Besa” thonë se nuk pranojnë të takohen  me BDI-në pa e marrë në dorë paraprakisht dokumentin që LSDM e ka dorëzuar tek integristët. 
 
“Fillimisht nuk duam të prononcohemi rreth dokumentit pa e parë se çka përmban në vetvete. Ne kemi thënë edhe më herët që nuk do ju përgjigjemi takimeve që do të ftohen nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Fillimisht do presim që dokumenti të na vijë në formë zyrtare, pastaj organet e partisë do të vendosin, do marrin vendime rreth ati dokumenti”,- u shpreh zëdhënësi i Lëvizjes “Besa”, Orhan Murtezani.
 
Në emisionin “Zig Zag” në TV Art, kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, deklaroi se para çdo lloj marrëveshjeje etnike para formimit të qeverisë së re duhet të ketë si parakusht vendimmarrjen konsensuale që arrihet me një qeveri gjithëpërfshirëse.
 
Thaçi thotë se vendit i duhet një qeveri për ta nxjerrë nga kriza, e kjo nuk mund të arrihet duke përjashtuar dikë nga procesi.
 
Kombinatorikat aktuale me numrat mund të rezultojnë në një qeveri me mbështetje të ngushtë që nuk mund të merret me çështjet e rëndësishme. 
 
“Cili do qoftë prej aktorëve politikë që premton realizimin e kësaj platforme ose e të drejtave fondamentale shqiptare dhe nuk i ka 80 deputetë gënjen, këtu mund të bëjë pjesë edhe Menduh Thaçi. Dhe për këtë arsye Menduh Thaçi thotë se para negociatave për qeverisje të vendit duhet negociata shqiptaro-maqedonase për platformën e shqiptarëve për integrimin e vendit në NATO dhe më pastaj vjen real politika”,- tha kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
 
VMRO ka zgjedhur të mos deklarohet shpesh në këtë fazë.
 
Tashmë disa herë ka ripërsëritur se duhen zgjedhje të reja për të dalë nga kriza.
 
Kushtetuta nuk parashikon një afat konkret kohor se kur duhet të formohet qeveria nga mandatari i dytë, nëse i pari dështon të mbledhë 61 numrat e nevojshëm.
 
SANIJE DURAKU