Bogov: Inflacioni deri në 1%
Sipas guvernatorit të Bankës Popullore, Dimitar Bogov, rritja sipas analizave të BP-së do të varet nga eksporti dhe konsumimi vendor, i cili duhet të rritet gjatë vitit të ardhshëm, si dhe nga përmirësimi i gjendjes në treg……..

Banka Popullore e Maqedonisë, në raportin e kuartalit të fundit, mbetet në projeksionet e mëparshme për rritje të bruto-prodhimit vendor për 3.7% për vitin 2014 dhe 4.4% për vitin e ardhshëm.
Sipas guvernatorit të Bankës Popullore, Dimitar Bogov, rritja sipas analizave të BP-së do të varet nga eksporti dhe konsumimi vendor, i cili duhet të rritet gjatë vitit të ardhshëm, si dhe nga përmirësimi i gjendjes në treg.
“Të dhënat më të reja të kuartalit të parë të vitit 2014, si dhe parashikimet për vitin e ardhshëm të faktorëve të jashtëm dhe vendor, drejtojnë në dinamikën e rritjes ekonomike, e cila nuk ndryshon nga parashikimet e mëparshme”, deklaroi guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov.
Sipas Bankës Popullore, inflacioni gjatë këtij viti do të lëvizë rreth 1 %, ndërsa gjatë vitit të ardhshëm pritet stabilizimi i inflacionit, i cili do të jetë rreth 2 %. Banka Popullore parashikon që gjatë këtij viti dhe vitin e ardhshëm, shkalla e rritjes kreditore të jetë 7 apo 8 %, me çka do të shënohet rritje e kredimarrjes së kompanive për 5 % , ndërsa te qytetarët për 12 % .
Guvernatori Bogov gjithashtu thotë se qarkullimet kapitale gjatë vitit 2015, do të jenë më intensive nga investimet direkte të huaja. (Besim Abdullai, TVM2)
