Botë
Evakuimi në ShBA, qytetarët: E lanë punën, derisa nuk mbajti më
14.02.2017 18:28
Pamjet e frikshme të ndërtesave që u përmbytën pas çarjes së digës në Kaliforni po bëjnë xhiron e botës...

Për fat të mirë, mijëra banorë arritën të evakuohen në kohë, por autoritetet thonë se kjo do të ishte mënjanuar nëse nuk do të ishin injoruar paralajmërimet e 12 viteve më parë, se struktura 49-vjeçare ishte në rrezik kolapsi.
“Situata ende është dinamike, po përpiqemi të vlerësojmë dëmin, për të kuptuar sa kohë na duhet ta bëjmë këtë vend të sigurt që njerëzit të kthehen”,- deklaroi zyrtari fedaral, Kory Honea.
Banorët i kanë lëshuar shtëpitë e tyre të përmbytura në ujë, por ata kanë frikë për sigurinë e tyre në të ardhmen.
"Kjo është stresuese,vërtetët shumë stresuese. Shumë njerëz, sidomos fëmijët, nuk e dinë se çfarë është duke ndodhur dhe çfarë duhet të bëjnë, jemi të brengosur, sepse nuk e dimë sa do të jetë i sigurt ky vend në të ardhmen. E vetmja gjë që di është se pronat tona janë përmbytur dhe uji gjithçka ka marrë me vete”,- theksoi banorja e evakuuar, Joelene Hull.
"Disa njerëz janë shumë të tronditur dhe të frikësuar, sepse kjo është fatkeqësia e tyre e parë, për herë të parë ata janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre, të evakuohen. Imagjinoni të ndodhë diçka e tillë kur njerëzit janë në gjumë, do të ndodhte një katastrofë e madhe”,- theksoi banori i evakuuar, Matthew Marques.
"Unë kam dëshirë të jem në shtëpi tani, por natyrisht para së gjithash dua të jem e sigurt. Por kjo është e pamundur”,- u shpreh banorja e evakuuar, Robin Krueger.
"Ata duhej të mendonin më herët, e jo ta linin punën deri në minutën e fundit. Nuk duhej të kishin lejuar të vinte puna deri në këtë pikë”,- theksoi banori i evakuuar, Robert Brabant.
Riparimet e digës nuk ishin në listën e guvernatorit, Jerry Brown, në projektin prej 100 miliardë dollarë për infrastrukturën e projekteve të rëndësishme.
200 mijë njerëz janë evakuuar nga shtëpitë dhe vendet e tyre të punës.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
