Maqedoni

Shehapi: Programi i kulturës nuk diskriminon askënd

14.02.2017 18:14

Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Bexhehudin Shehapi, hedh poshtë akuzat e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë....

Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Bexhehudin Shehapi, hedh poshtë akuzat e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë se programi botues dhe ai ndërkombëtar për vitin 2017 janë diskriminuese ndaj kësaj shoqate.
 
Nuk bëhet fjalë për çështje inati, thotë ai, por duke pasur parasysh se ShBSh dy vite me radhë është pjesëmarrëse në këto panaire, për të mos anashkaluar të tjerët këtë vit në panairin e librit në Gjermani, Bullgari, Francë dhe Turqi do të marrë pjesë Lidhja e Botuesve Shqiptarë.  
 
“Komisioni për aktivitete ndërkombëtare këtë vit ka konstatuar se rendin për të marrë pjesë në panairet ndërkombëtare e ka Lidhja e Botuesve Shqiptarë në Stamboll. Sikurse vitin e kaluar, ka marrë pjesë Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Është me rëndësi të theksohet se në asnjë mënyrë nuk ka diskriminim ndaj Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe në asnjë moment nuk e kemi anashkaluar të njëjtën me vetë faktin që ShBSh-së ka 18 libra të mbështetura këtë vit nga ne që tregon qartë se  kjo shoqatë është mjaft respektabile në Ministrinë e Kulturës”,- theksoi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Bexhehudin Shehapi.
 
Shehapi, madje, sqaron se për dallim nga vitet e kaluara,veprimtaria botuese shqiptare këtë vit përfaqësohet më shumë se kurrë më herët. Prej 370 librave të mbështetur nga Ministria e Kulturës, 119 janë libra në gjuhën shqipe, që e kthyer në përqindje është 31%.  
 
“Vitin e kaluar ne kemi pasur 85 libra në gjuhën shqipe të mbështetura nga Ministria e Kulturës, ndërsa këtë vit kemi 119  libra, 6 revista, që do të thotë se është një rritje inkurajuese dhe kjo tregon  se në vazhdimësi po punojmë në drejtim të ngritjes së peshës dhe përqindjes së kulturës shqiptare në Ministrinë e Kulturës”,- theksoi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Bexhehudin Shehapi.
 
Dje Shoqata e Botuesve Shqiptarë akuzoi Ministrinë e Kulturës se po favorizon shtëpi botuese të caktuara që nuk përmbushin as kriteret e vendosura nga vetë Ministria. 
 
REXHEP QAMILI