Rritet në 282 numri i viktimave në minierën në Turqi
Pas tragjedisë në minierën në qytetin perëndimor turk Samoa, që mori të paktën 282 jetë njerëzish, prej sot ka nisur zija treditore për nderë të viktimave, një pjesë e të cilëve janë varrosur sot......

Pas tragjedisë në minierën në qytetin perëndimor turk Samoa, që mori të paktën 282 jetë njerëzish, prej sot ka nisur zija treditore për nderë të viktimave, një pjesë e të cilëve janë varrosur sot.
Po ashtu sindikatat në tërë Turqinë kanë nisur një grevë njëditore, sindikalistët pretendojnë se privatizimi i ka bërë edhe më të rrezikshme kushtet e punës në miniera. Në Soma, në shenjë hidhërimi njerëzit e tubuar kanë shkelmuar veturën e kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan dhe kërkuan dorëheqjen e tij.
Në Ankara dhe Stamboll, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e protestuesve.
Shefja e Konfederatës së Sindikatave të Tregtisë, Arzu Çerkezoglu, u bëri thirrje qytetarëve të vishen në të zeza dhe të marshojnë drejt energjisë së punës në kryeqytetin turk. Ndërsa një grup tjetër sindikalistësh thoshte se personat që ndjekin politikat e privatizimit dhe kërcënojnë jetët e punëtorëve për të reduktuar kostot, janë përgjegjësit e vërtetë të masakrës së Somas, ndaj duhet të mbajnë përgjegjësi.
Autoritetet njoftuan për 363 minatorë të shpëtuar në orët pas shpërthimit, por që prej mëngjesit të së mërkurës askush nuk është nxjerrë më i gjallë nga miniera e qymyrgurit në rajonin e Manisas.
“Gjatë natës janë nxjerrë edhe tetë trupa të tjerë të pajetë, duke e ngritur bilancin e të vdekurve nga 274 në 282”, deklaroi ministri i Energjisë, Taner Yildiz.
Po ashtu rreth 150 minatorë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur. Ekipet e mjekëve psikiatër janë mbledhur te miniera për të këshilluar familjarët e viktimave, ndërsa policia paraushtarake po e ruan hyrjen në minierë.
Operacionit të shpëtimit iu bashkangjit edhe kryeministri turk, Erdogan, i cili siç njoftohet ka qëndruar për katër orë nën tokë për të shpëtuar minatorët. Operacioni i shpëtimit u pezullua për disa orë, për shkak të përqendrimeve të larta të gazit nëntokë, që u desh ta pastronin. Nga ana tjetër, në minierë vazhdonte të digjej një zjarr, i cili i ka vështirësuar edhe më shumë përpjekjet e kërkimit.
Në momentin e tragjedisë, e cila supozohet të ketë ardhur nga defekti i një transformatori elektrik, në minierë ka pasur 787 minatorë. (Gyltene Sinani, TVM2)
