ARSIM

MASH-i ka ndërmarrë një sërë reformash në arsim

15.05.2014 17:36

Viteve të fundit sistemi arsimor ka pësuar transformime të shumta që kanë të bëjnë jo vetëm me vlerësimin e njohurive të nxënësve, por edhe harmonizimin e tyre me standardet evropiane.......

Viteve të fundit sistemi arsimor ka pësuar transformime të shumta që kanë të bëjnë jo vetëm me vlerësimin e njohurive të nxënësve, por edhe harmonizimin e tyre me standardet evropiane.

Testimi ekstern, matura shtetërore, testimi ndërkombëtar “Pisa”, kanë për qëllim ngritjen e cilësisë së arsimit në vend, por pavarësisht nga këto ndryshime, ky sektor përballet me probleme të shumta. Sipas profesorit universitar, Lulzim Ademi, problemet teknike, gabimet gjatë parashtrimit të pyetjeve, gabimet shkencore, e shoqërojnë vlerësimin ekstern, andaj profesionistët nga lëmi të ndryshme duhet të përpilojnë këtë test.

“Nëse dëshirohet të arrihet vlerësim i mirëfilltë, duhet mendim nga profesionistët e lëmive të ndryshme, ato që janë përpiluar të shkojnë në rang të dytë dhe testimet të korrespondojnë me njohuritë e përfituara”, deklaroi profesori universitar, Lulzim Ademi.

Sipas Ademit, së paku në  periudhën  kalimtare, derisa testimi të realizohet në mënyrë të përkryer, do të ishte mirë që nota të mos figurojë në dëftesa.

“Të lihet një periudhë testuese se si do zbatohet vlerësimi, cilat janë gabimet, cilat janë anët pozitive ku mund të bëhen ndryshime, që të ketë një vlerësim të  mirëfilltë, të mënyrës së vlerësimit të punës së arsimtarëve”, tha Ademi.

Këtë qëndrim e ndajnë edhe vet nxënësit e shkollave të mesme.

“Ka disa gabime që duhet të largohen,që testet të jenë më të qarta dhe i tërë procesi”, u shpreh një nxënës.

“Të mos përsëriten pyetjet, të mos ketë gabime në përkthim dhe nota të mos ndikojë në notën përfundimtare”, tha një nxënës tjetër.

Ndërkohë nga MASH-i deri më tani nuk ka asnjë sinjal se do të heqin dorë nga këto vlerësime, të cilat realizohen me qëllim të avancimit të sistemit arsimor. (Flutura Latifi, TVM2)