Lidhjet e Flynn me rusët, mediat: Nuk është i vetmi, hetohen edhe të tjerë

15.02.2017 13:57

Ish-këshilltari i presidentit Trump që dha dorëheqjen pasi gënjeu për kontaktet me ambasadorin rus.....

Ish-këshilltari i presidentit Trump që dha dorëheqjen pasi gënjeu për kontaktet me ambasadorin rus, nuk ishte i vetmi që kishte qenë në komunikim të vazhdueshëm me rusët që gjatë fushatës zgjedhore.

Sipas mediave amerikane, përveç Michael Flynn edhe këshilltarëve të tjerë të afërt me Trumpin bisedonin me zyrtarë rusë të inteligjencës, emra të njohur për shërbimet sekrete të ShBA-së.

Mes tyre është edhe shefi i fushatës së Trumpit, Paul Manafort, por edhe bashkëpunëtorë të tjerë. Megjithatë, ende nuk ka prova që të tregojnë se ata a kanë bashkëpunuar me Rusinë për hakerimin e demokratëve, apo për ndikim në zgjedhjet amerikane.

Për sa i përket Flynn, drejtues të republikanëve kanë kërkuar hetim më të gjerë për lidhjet e tij me Rusinë. Flynn kishte diskutuar me ambasadorin rus, Sergei Kislyak, për çështjen e sanksioneve disa javë përpara se Trump të merrte detyrën.

Çështja e Michael Flynnit e ka tronditur thellë Uashingtonin, megjithatë një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti e shkarkoi këshilltarin e Sigurisë Kombëtare sepse kishte humbur besimin tek ai, e jo prej ndonjë shqetësimi ligjor. Mediat bëjnë gjithashtu të ditur se Trump e ka ditur prej javësh për kontaktet e Flynn me Rusinë.

Sipas Sean Spicer, “shembja e këtij besimi” lidhur me telefonatat e Flynnit me ambasadorin rus në ShBA “arriti një masë kritike dhe një situatë që nuk mund të vazhdonte më”. Shkarkimi, me sa duket, erdhi më tepër nga ideja se ai nuk i kishte treguar të vërtetën zëvendëspresidentit, Mike Pence dhe zyrtarëve të tjerë, se sa nga përmbajtja e bisedimeve të zhvilluara me përfaqësuesin e lartë të Moskës.

Moska nuk ka preferuar të bëjë komente për këtë çështje, duke e konsideruar çështje të brendshme të amerikanëve. (Leunora Kaliqi, TVM2)