Personat me invaliditet, angazhim më serioz për nevojat e kësaj kategorie
Pajisje më cilësore të dëgjimit për personat e shurdhër, mjekim falas në spitale...

Pajisje më cilësore të dëgjimit për personat e shurdhër, mjekim falas në spitale, zgjerim të listës së ilaçeve pozitive për personat me invaliditet, trajtim mjekësor në banja dhe mbulim të shpenzimeve për personat që shoqërojnë invalidët. Këto janë vetëm disa prej kërkesave më të rëndësishme, plotësimi i të cilave do të përmirësonte ndjeshëm jetën e personave me invaliditet. Trupi Nacional Koordinues i Personave me invaliditet kërkon nga autoritetet angazhim më të madh në këtë drejtim.
“Kërkojmë heqjen e participimit në mjekësinë parciale dhe terciale, mbështetje financiare të prindërve kur i shoqërojnë fëmijët me invaliditet në spitale, mjekim në kushte të volitshme klimatike në banja dhe zgjerim të listës së ilaçeve për këta persona”,- tha koordinuesi për të drejta të barabarta të personave me invaliditet, Branimir Jovanovski- Trupi.
“Mungon formimi i më shumë shërbimeve të veçanta në vendbanimet ku ka persona me invaliditet, që në mënyrë intensive do të punohet dhe do të mbështeten ata për t’i përfituar të drejtat e tyre në shoqëri”,- theksoi Vasilinka Dimoska nga Qendra për mbështetje të personave me pengesa intelektuale.
Autoritetet premtojnë se kërkesat e tyre do të shqyrtohen me kujdes.
“Duke marrë parasysh situatës politike në të cilën ndodhemi, mund të premtoj se do të shqyrtojmë iniciativën e tyre dhe do të dalim me vlerësime konkrete, mirëpo vendimin përfundimtar e merr Qeveria. Ajo duhet të vendos në këtë drejtim çka është e pranueshme e çka jo, mirëpo unë si ministër e mbështes këtë iniciativë”,- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
Aktualisht, thotë Ibrahimi, për këtë kategori qytetarësh ligjet parashohin lehtësime në çështjen e banimit, punësimit dhe ndihmës financiare. Por, personat me invaliditet thonë se kanë nevojë për shumë më tepër përkujdesje institucionale. (Rexhep Qamili, TVM2)
