Maqedoni
Garancitë e LSDM-së, Haliti: Vendos kryesia qendrore e BDI-së
15.02.2017 15:16
Për dokumentin e LSDM-së dorëzuar BDI-së do të duhet të prononcohet anëtarësia qendrore e partisë së Ahmetit...

Anëtari i kryesisë qendrore të BDI-së, Rafiz Haliti, në emisionin “Argument” në TVM2, duke mos zbuluar detajet e garancisë që ofrojnë socialdemokratët, thotë se do të veprohet ngjashëm sikurse me VMRO-DPMNE-në. Sipas Halitit, anëtarësia qendrore do të vendosë për arritjen e barazisë qytetare.
“Ne është dashur në kryesinë qendrore, normalisht, të debatojmë për çdo detal për qeverisjen e ardhshme se për çka janë të gatshëm në këtë rast subjektet politike maqedonase që me të vërtetë të krijojmë atë ambient qeverisës, me platformë politike qeverisëse, që ajo barazi e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë definitivisht të arrihet”,- deklaroi anëtari i kryesisë qendrore të BDI-së, Rafiz Haliti.
Haliti tha se për çdo hap të mëtejmë do të informojnë edhe partitë tjera nënshkruese në marrëveshjes mes partive shqiptare.
Opinionisti, Qani Mehmeti, konsideron se pa marrë parasysh se cila parti maqedonase do të formojë qeverinë, faktori politik shqiptar do të duhet të jetë këmbëngulës në jetësimin e marrëveshjes që nënshkruan BDI dhe dy koalicionet shqiptare.
“Faktori politik s’ka çka zgjedh, ose LSDM-në, ose VMRO-në. Prandaj ne duhet të vëmë gishtin mbi vetvete, mbi faktorin tonë, mbi gatishmërinë tonë për sakrifica dhe për të realizuar qëllimet që subjekti politik shqiptar i ka si program të vetin partiak. Më shumë të drejtojmë gishtin kah vetja dhe kah forca jonë se sa kah shpresat. Ne tanimë 25 vite jemi në shpresa, në mashtrim dhe më në fund t’i shikojmë gjërat në mënyrë kritike dhe të marrim mësim për veten”,- tha opinionisti, Qani Mehmeti.
Por, analisti, Sefer Tahiri, thotë se qeveri reformatore me VMRO-në nuk është e mundur. Ndërkaq, sa i përket platformës qeveritare, sipas Tahirit ajo do të duhet të reflektojë rreth 70% të kërkesave të dokumentit të partive shqiptare.
“Qeveri reformatore nuk është qeveria me VMRO-DPMNE-në për shkak se e shikoni atë fotografinë që e kemi prapa, e shikoni atë kryqin e madh, VMRO-DPMNE-ja ka dashur gjithë këto vite të vulos Shkupin dhe Maqedoninë si sllave, është ortodokse dhe është njëetnike dhe njëfetare. Nuk do të jetë reflektim qind për qind i platformës kombëtare të shqiptarëve marrëveshja e re qeveritare, megjithatë unë konsideroj se rreth 70% do të duhet t’i reflektojë kërkesat politike të shqiptarëve, sepse nuk do të ketë kurrfarë kuptimi kjo marrëveshje”,- theksoi analisti, Sefer Tahiri.
Funksionari i lartë i BDI-së, Rafiz Haliti, ripërsëriti se pesë kërkesat e BDI-së mbeten të hapura, duke theksuar si prioritet gjuhën shqipe, ndërkaq më pak prioritare zgjedhjet e parakohshme.
MERAL ISMAILI
