Maqedoni

Portalet on-line, jashtë kontrollit ligjor. Ekspertët: Gazetaria bazohet vetëm në fakte

15.02.2017 15:41

Përshtatja e demokracisë në epokën digjitale është një problem që nuk shqetëson vetëm Maqedoninë...

Mediat sociale dhe gazetat online kanë një ndikim jashtëzakonisht në qeverisjen bashkëkohore. Por, në mungesë të një ligji kontrollues, portalet duhet të jenë më profesionale dhe të mos dezinformojnë lexuesit.
 
Gjithsesi, janë vetëm lexuesit ata që duhet të selektojnë portalet nga të cilat marrin të dhëna relevante dhe portalet e tjera që plasojnë të pavërteta në kërkim të klikimeve. Dhe padyshim duhet pasur kujdes që duke luftuar informacionet e pavërteta, të mos ngulfatet liria e shprehjes, thanë panelistët në një debat kushtuar epokës digjitale dhe demokracisë të mbajtur në Tetovë.
 
“Të ketë edhe një rritje më të madhe të cilësisë dhe profesionalizmit dhe nëpërmjet kësaj të shmangen portalet të cilat veç më janë etabluar dhe shpërndajnë lajme të cilat nuk janë relevante. Duhet pasur kujdes që duke luftuar lajmet e rrejshme mos e mbysim edhe lirinë e shprehjes, prandaj është thikë me dy tehe që duhet të trajtohen me kujdes gjatë adresimit të këtij problemi”,- deklaroi kryetari i Shoqatës për avancimin e demokracisë, Sefer Selimi.
 
Zëvendësambasadori gjerman, Marco Acquaticci, thotë se Ligj për portalet nuk ka as në Gjermani dhe cilësia e lajmeve të plasuara mbetet në ndërgjegjen e gazetarëve. 
 
“Demokracia digjitale dhe nocioni i saj nuk  nënkupton as fenomen negativ e as pozitiv. Varet se si punoni me të, varet dhe nga korniza institucionale e pushteteve respektive në vende të ndryshme”,- tha zëvendësambasadori i Gjermanisë në Maqedoni, Marco Acquaticci.
 
Njohësit e çështjes vlerësojnë se kjo sfidë duhet të tejkalohet përmes shtimit të kontrollit, që mund të bëhet  me vendosjen e filtrave të ndryshëm nga shoqatat e gazetarëve dhe në vetë punën e gazetarëve që duhet të përqendrohet në atë që quhet gazetari e bazuar në fakte.
 
VISAR SADIKI