Botë

PE miratoi rezolutën për Shqipërinë, vetingu - çelësi që hap rrugën e negociatave

15.02.2017 16:05

Parlamenti Europian miratoi me 546 vota pro dhe 85 kundër rezolutën e re për Shqipërinë, të hartuar nga raportuesi Knut Fleckenstein...

Rezoluta e re përmban 45 pika, ku më thelbësoret janë zbatimi praktik i Reformës në Drejtësi dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira më 18 qershor. Kryefjalë mbetet realizimi i shpejtë i “vetting”-ut, duke rivlerësuar të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët aktualë shqiptarë.
 
Nga institucionet europiane kërkohet zbatimi i plotë i Ligjit të dekriminalizimit, duke përjashtuar nga listat e kandidatëve për deputetë të inkriminuarit, kërkohet transparenca dhe auditi për financimin e partive politike. Theksohet gjithashtu se dialogu mes mazhorancës dhe opozitës është thelbësor.
 
Në referencë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare inkurajohen autoritetet shqiptare të marrin masa për të lehtësuar votimin e emigrantëve. Institucionet europiane, ndonëse vlerësojnë operacionet e fundit të policisë, vënë në dukje se organet e saj dhe të prokurorisë kanë dështuar të identifikojnë grupet kriminale që qëndrojnë pas parcelave të drogës. 
 
Ka kaluar gjithashtu edhe një amendamenti i eurodeputetëve, Andrej Kovaçev dhe Angel Xhambaski, që kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve bullgare në Prespë, Gollo Bërdë dhe Gora.
 
Eurodeputetët bullgarë thonë se në Shqipëri jetojnë rreth 100 mijë bullgarë të cilët nuk i gëzojnë të drejtat minimale që u takojnë si minoritet. Deri tani, të drejtat për këtë minoritet i proklamonte Maqedonia, por me hyrjen e Bullgarisë në BE, shumë prej tyre u deklaruan bullgarë për të përfituar pasaportën që u hapte rrugën drejt BE-së. Për një vendim në lidhje me statusin, Shqipëria gjithsesi duhet të presë deri në pranverën e vitit 2018, kur të publikohet raporti i ardhshëm i Komisionit Europian.
 
BESIM ABDULLAI