Maqedoni
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, rritja e rrogave - instrument për barazi sociale
15.02.2017 16:32
Rritja e rrogave në Maqedoni, përparimi i dialogut social si dhe sigurimi i më shumë të drejtave të punëtorëve...

Rritja e rrogave në Maqedoni, përparimi i dialogut social si dhe sigurimi i më shumë të drejtave të punëtorëve janë kërkesat e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë të nënvizuara në propozim-protokollin për përparim social.
Sipas LSM-së, rrogat duhet të jenë instrument primar në luftën kundër pabararazisë, kundër përjashtimit social, si dhe luftës kundër varfërisë.
“Një nga drejtimet kyçe është në pjesën e sigurimit dhe ndërtimit të një strategjie të përbashkët të rrogave në Maqedoni. Protokolli për përparim social do të fokusohet në mënyrë të veçantë të trajtojë rritjen jo vetëm të rrogës minimale në Maqedoni, por edhe të rrogave tjera”,- deklaroi drejtori i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Zhivko Mitrevski.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se analizat tregojnë se siguria për vendet e punës dukshëm duhet të përmirësohet, para së gjithash në pjesën e zonave industriale.
“Me këtë dokument propozojmë që më së paku 30% nga marrëveshjet në të gjitha ato zona të jenë në kohë të pacaktuar të punës, për shkak të sigurimit të trajtimit më të veçantë të punëtorëve dhe për shkak të sigurimit të trajtimit më të veçantë në pjesën e të ardhurave”,- tha drejtori i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Zhivko Mitrevski.
Gjithashtu në këtë dokument strategjik kërkohet që punëtorët në sektorët e ndërtimtarisë, trafikut, hekurudhave dhe pylltarisë të kenë beneficione në përvojën e punës. Propozim-protokolli do t’i dorëzohet qeverisë së re edhe në sektorët për ekonomi.
ERSAN PAJAZITI
