Maqedoni
Vrasja e Almir Aliut, filloi gjykimi, Boban Iliq e mohon fajin
15.02.2017 17:22
Në Kumanovë ka filluar procesi gjyqësor për rastin e Almir Aliut...

Në Kumanovë ka filluar procesi gjyqësor për rastin e Almir Aliut, i cili më 25 qershor të vitit të kaluar ndërroi jetë pasi ai dhe prindërit e tij ishin të shtypur me makinë nga tashmë i akuzuari Boban Iliq nga Kumanova.
Në seancën e sotme të procesit gjyqësor, me të cilin kryeson gjykatësja, Maja Denkovska, para trupit gjykues u dëgjuan dëshmitë e të akuzuarit Boban Iliq, nënës së Almirit, Mixhivere Kasumit, të dashurës së Boban Iliqit, Tanja Dimkovskas, dhe vëllait të të akuzuarit, Bojan Iliqit.
Gjatë dëshmisë së tij, Boban Iliq hodhi poshtë veprën për të cilën akuzohet. Ndërkaq, nëna e Almirit në detale përshkroi rastin tragjik në të cilin u shtyp familja treanëtarëshe nga i akuzuari me makinë.
“Boban Iliq, i akuzuar i parë, me gjakftohtësi sillej gjatë tërë kohës, e madje nuk kishte guxim as ta pranojë fajin për atë çfarë ka bërë. Përkundrazi, tërësisht e mohonte. Ndërkaq, dëshmitarja e drejtpërdrejtë, respektivisht nëna e Almirit, Mirxhivene Kasumi, në detaje e përshkroi rastin në fjalë. Gjithashtu nga dëshmia e saj mund të vërtetohet se vrasja e vogëlushit Almir Aliu ka qenë makabre”,- deklaroi avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq.
“Është një rast tejet i vështirë jo vetëm nga aspekti juridik, por edhe nga ai njerëzor, sepse në këtë ngjarje ka vdekur një fëmijë, kurse disa persona të tjerë janë lënduar”,- tha ndër të tjera avokati i të akuzuarit, Stevan Pavlevski.
Gjatë seancës së sotme si dëshmi u prezantua edhe video-xhirimi nga kamerat e sigurimit ku shihen pamjet e momentit kritik kur me makinë shtypet familja Aliu.
Paralelisht me fillimin e procesit gjyqësor, në organizim të OJQ “Zani”, u mbajt një protestë e qetë në mbështetje të procesit objektiv gjyqësor dhe vënies së drejtësisë.
“Prezenca jonë në asnjë mënyrë nuk manifeston ndonjë formë presioni ndaj organeve të drejtësisë, përkundrazi, i inkurajon ato që të merret një vendim i drejtë, i paanshëm dhe jopolitik, dhe se autori i kësaj vepre kriminale të marrë dënimin e merituar”,- tha ndër të tjera Bekon Limani nga OJQ “Zani”.
Seanca e radhës është caktuar për më 28 shkurt të këtij viti, në orën 10.
NEXHAT AQIFI
