Maqedoni
Zhbogar: Politika do të gjejë mënyrë për dalje nga kriza; Plomp: Qeveri e fokusuar në reforma, përkrahje për PPS-në
15.02.2017 17:36
Shefi i misionit të BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, është optimist se forcat politike do të gjejnë mënyrën për ta nxjerrë vendin nga kriza politike...

Shefi i misionit të BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, është optimist se forcat politike do të gjejnë mënyrën për ta nxjerrë vendin nga kriza politike dhe së shpejti do të mbledhin nënshkrimet e nevojshme për formimin e qeverisë së re.
“Gjithmonë jam optimist. Mendoj se edhe eurokomisioneri, Johanes Han, ishte optimist kur u largua nga Maqedonia. Ai ishte i bindur se liderët politikë në vendin tuaj do të gjejnë mënyrën më të mirë se si të dalin nga situata aktuale”,- deklaroi shefi i misionit të BE-së në RM, Samuel Zhbogar.
Edhe ambasadori i Holandës, Vauter Plomp, porositi partitë politike që sa më shpejtë të formojnë Qeverinë, sepse nuk ka kohë për të humbur.
“Holanda përkrah për një kohë të gjatë Maqedoninë në procesin e zbatimit të reformave në procesin e integrimeve europiane. Në këtë pikëpamje, unë do të përsëris deklaratën e Johanes Han, ku thotë se Qeveria e Maqedonisë nuk ka kohë për të humbur. Shpresojmë se do kemi Qeveri e cila do të bëjë reforma dhe e cila do të jetë e përqendruar për të bërë reforma në mënyrën e qeverisjes, dhe jo vetëm reforma, por njëra nga çështjet kryesore është që të fokusohet në përgjegjshmërinë e saj dhe kur flasim për këtë gjë është fjala për mbështetjen e Prokurorisë Speciale si dhe mbështetjen nga të gjithë aktorët e tjerë, që të mund ajo ta zhvillojë punën e saj të pavarur”,- theksoi ambasadori i Holandës në RM, Vauter Plomp.
Plomp shpreson se Qeveria e re do të jetë e orientuar drejt reformave dhe përkujton liderët se e ardhmja e vendit është në duart e tyre.
NAIM RAMADANI
