Maqedoni
LSDM pret përgjigje nga BDI, Shilegov: Përgjigja në formë të nënshkrimeve
15.02.2017 17:55
LSDM pret përgjigje nga BDI rreth dokumentit që është dorëzuar...

Përgjigja duhet të jetë në formë të nënshkrimeve për marrjen e mandatit, thotë zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov. Sipas tij, dokumenti i dorëzuar deri të BDI është mjaft i mirë dhe duhet të pranohet nga integristët.
“Ne presim që draft-dokumenti të cilin e dorëzuam deri të BDI-ja, do të sigurojë që të njëjtit të japin nënshkrimet e tyre për marrjen e mandatit për formim të Qeverisë”,- deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
Nga BDI ende vazhdojnë bisedimet e brendshme. Tashmë kanë biseduar edhe me përfaqësues të Aleancës për shqiptaret, por thonë se bisedimet janë përqendruar vetëm tek deklarata për bashkëpunim e nënshkruar nga tre subjektet e jo tek dokumenti i LSDM-së.
Lëvizja “Besa”, ndërkohë , pret që të marrë në formë zyrtare dokumentin e LSDM-së.
“Jo nuk ka ardhur asnjë dokument. Po shihet qartë se ka qenë trik i dikujt që ta fusë “Besën” në një kombinim, por secili merr përgjegjësi për veprimet e veta. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë betejën për vlerën, parimet, principet, për atë që kemi thënë para elektoratit dhe do ta vazhdojmë këtë betejë”,- u shpreh Afrim Gashi nga Lëvizja “Besa”.
Nga “Aleanca për shqiptarët” mbeten në qëndrimin se nuk do të heqin dorë nga deklarata e përbashkët e subjekteve politike, e cila përmban kërkesën që shqiptarët të trajtohen si popull shtetformues, nevojën e një konsensusi të gjerë politik në krijim e një qeverie politike, e cila do të mundësonte ndryshime Kushtetuese, për ta rregulluar çështjen e gjuhës shqipe, për të biseduar mbi konsensusin e gjerë në gjetjen e zgjidhjes politike me Greqinë për çështjen e emrit, reformat në drejtësi, si dhe funksionimin e shtetit të së drejtës duke i vënë para drejtësisë të gjithë aktorët politikë që janë të dyshuar nga Prokuroria Publike Speciale.
SANIJE DURAKU
