K.H.: Kritika institucioneve për incidentet
Gjatë vitit 2013, në bazë etnike kanë ndodhur 116 incidente, në të cilat kryeson qyteti i Shkupit me 83 incidente, ndërkaq 72 % e incidenteve të përgjithshme kanë ndodhur në Komunën e Çairit, Qendrës dhe Komunën e Aerodromit.....

Institucionet nuk ndërmarrin masa preventive për pengimin e incidenteve, të cilat në numrin më të madh të rasteve po shkaktohen në baza etnike edhe atë kryesisht mes shqiptarëve dhe maqedonasve, tregojnë të dhënat e projektit të realizuar nga Komiteti i Helsinkut.
Gjatë vitit 2013, në bazë etnike kanë ndodhur 116 incidente, në të cilat kryeson qyteti i Shkupit me 83 incidente, ndërkaq 72 % e incidenteve të përgjithshme kanë ndodhur në Komunën e Çairit, Qendrës dhe Komunën e Aerodromit.
“Institucionet heshtin, institucionet nuk ndërmarrin masa preventive dhe institucionet nuk pranojnë që në Maqedoni pikërisht këto të dhëna flasin për atë se ekziston problem serioz mes dy etniteteve më të mëdha. As kryeministri e as ministrja Jankullovska nuk pranojnë para publikut se në Maqedoni pikërisht zgjedhjet janë tregues se si qëndrojmë ne me marrëdhëniet ndëretnike në vend”, deklaroi drejtoresha e Komitetit të Helsinkut, Uranija Pirovska.
“Format më të shpeshta të incidenteve janë sulmet fizike edhe atë 68 incidente janë sulme fizike. Këtu kanë të bëjnë rrahjet mes të miturve në shkolla, autobusë etj. Kryerësit e veprave dhe viktimat zakonisht janë nga përkatësitë e ndryshme etnike, ku më së shpeshti janë maqedonas dhe shqiptarë”, tha këshilltari juridik në Komitetin e Helsinkut, Voislav Stojanovski.
Shembull pozitiv në Maqedoni mbetet qyteti i Dibrës, ku nuk është regjistruar asnjë incident edhe pse jetojnë qytetarë të përkatësive të ndryshme etnike, thonë nga Komiteti i Helsinkut.
Incidente janë shënuar edhe në transportin publik, ku 66 % e tyre kanë ndodhur në autobusin me numër 9 dhe 65.14 incidente kanë ndodhur në afërsi të 6 shkollave të mesme në Shkup, 3 prej të cilave në lagjen e aerodromit. Për 9 % të incidenteve është shkaktarë orientimi seksual së bashku me identitetin gjinor, ndërkaq 7% e incidenteve janë shkaktuar si pasojë e përkatësisë fetare.
Në fillim të këtij viti është vërejtur një trend më i madh i incidenteve, të cilat kanë qenë të ndërlidhura me përkatësinë politike, si demolim i shtabeve dhe dhunës fizike mes anëtarëve partiak.
Komiteti i Helsinkut ka regjistruar 113 viktima kundrejt 450 kryerësve të veprës. Policia deri më tani ka arritur të identifikojë kryerës të dyshuar për më së paku 27 nga 116 incidente. (Florije Kamberi, TVM2)