Maqedoni
Trump pret Netanyahun, rritet shqetësimi i palestinezëve
15.02.2017 19:04
Presidenti amerikan, Donald Trump, përgatitet të presë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu...

Presidenti amerikan, Donald Trump, përgatitet të presë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në bisedimet që mund të ndryshojnë konturet e politikës së ardhshme ndaj Lindjes së Mesme.
Palestinezët paralajmëruan Shtëpinë e Bardhë të mos braktisin objektivin e tyre për një shtet të pavarur palestinez në Lindjen e Mesme. Për dekada të tëra, ideja e krijimit të një Palestine ku palestinezët të mund të jetojnë në paqe së bashku me Izraelin, ka qenë një qëndrim themelor i Shteteve të Bashkuara, edhe pse negociatat e fundit për këtë u ndërprenë në vitin 2014. Por, në një kthesë të papritur e të bujshme, një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha të martën se paqja jodomosdoshmërisht nënkupton edhe krijimin e shtetit palestinez, ndërsa Trump nuk do të përpiqet të “diktojë” një zgjidhje.
Palestinezët reaguan të alarmuar ndaj mundësisë se Uashingtoni mund të tërheqë mbështetjen për një komb të pavarur palestinez. Por, gjithsesi palestinezët nuk kanë marrë asnjë sinjal zyrtar për një ndryshim të qëndrimit amerikan në këtë çështje. Për Netanyahun, bisedimet me Trumpin do të ishin një mundësi e mirë për të rifreskuar marrëdhëniet pas një periudhe të tensionuar me demokratin, Barack Obama.
Kryeministri, i cili gjendet nën hetim me akuzat për abuzim me pushtetin në Izrael, kaloi pjesën më të madhe të ditës së martë duke folur me këshilltarët në Uashington, në përgatitje të bisedimeve. Zyrtarët thanë se nuk donin të krijonin sërish boshllëqe mes ShBA-ve dhe Izraelit, gjatë takimit të paracaktuar prej dy orësh në Zyrën Ovale.
