Botë
SHBA - Republikanët kërkojnë hetimin e Flynn
15.02.2017 21:00
Anëtarë të lartë të Partisë Republikane i janë bashkuar kërkesave për një hetim të gjerë mbi lidhjet e ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare me Rusinë...

Michael Flynn paraqiti dorëheqjen vetëm një ditë më parë, mbi pretendimet se ai kishte diskutuar sanksionet amerikane ndaj Rusisë, përpara se Donald Trump të merrte detyrën.
Ndërkohë, dy ditë më parë, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump prej javësh ishte në dijeni të problemeve me telefonatat me Rusinë. Por kërkesat për një hetim të pavarur mbi çështjen, kanë hasur në reagime të ftohta nga disa zyrtarë të Partisë Republikane.
Michael Flynn hodhi poshtë pretendimet se ai kishte diskutuar sanksionet amerikane me të dërguarin rus në SHBA, përpara se Trump të merrte detyrën.
Është jo e ligjshme që një qytetar privat të diskutojë mbi diplomacinë amerikane, përpara se të zgjidhet në një post, si ai i këshilltarit të sigurisë kombëtare. Në reagimin e tij të parë publik mbi këtë çështje, presidenti Donald Trump e drejtoi vëmendjen tek fakti se përse nga Uashingtoni po dalin një sërë informacionesh ilegale, mbi të cilat republikani shtron pyetjen se mund të ndodhin edhe gjatë kohës që ai merret me çështjen e Koresë së Veriut.
Republikani John McCain, kryetari i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit, tha se dorëheqja e zotit Flynn është një tregues shqetësues i mosfunksionimit të aparatit aktual të sigurisë kombëtare, që ngre pyetje mbi qëllimet e Trump ndaj Rusisë.
Sakaq, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Rusia nuk do të komentonte mbi dorëheqjen, duke e konsideruar këtë, një çështje të brendshme të administratës Trump dhe amerikanëve. Largimi i Flynn, sidoqoftë, nuk i jep fund pyetjeve mbi kontaktet mes fushatës së Trump dhe Rusisë./Oranews
