Opozita maqedonase, e vendosur të mos pranojë mandatet
Ata do të kërkojnë edhe masë të përkohshme për ndalimin e veprimit ligjor për këtë vendim të Komisionit Verifikues…..

Lidhja Social-Demokrate ka njoftuar se është duke i kompletuar materialet nga dosja “kthimi i mandateve”, pasi kanë vendosur që të ngrenë padi penale në Gjykatën Administrative, sepse siç thonë ata, “sipas ligjit çdo deputet ka të drejtë ta pranojë ose ta refuzojë mandatin”.
Ata do të kërkojnë edhe masë të përkohshme për ndalimin e veprimit ligjor për këtë vendim të Komisionit Verifikues. Duke u mbështetur në Kodin Zgjedhor, LSDM-ja thotë se të gjithë kanë të drejtë të veprojnë ashtu siç kanë vepruar disa kandidat për kryetar komunash në vitin 2011.
Kryetari i partisë, Zoran Zaev, u ka thënë gazetarëve se përderisa ata kanë hequr dorë nga mandatet, “dikush manipulon me publikun, duke thënë se deputetëve të opozitës ka filluar t’u rrjedhë rroga”. Nga LSDM po ashtu kanë njoftuar se në të ardhmen do të formojnë “Qeveri në hije”, pasi të gjitha format e mundshme demokratike për të shfaqur pakënaqësinë dhe injorimin e këtij pushteti, po ngulfaten pikërisht nga pushteti.
Mandatin e vetëm të fituar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe atë në njësinë zgjedhore gjashtë, e ka depozituar në Kuvend edhe Rilindja Demokratike Kombëtare e Rufi Osmanit.
Në njoftimin për mediat, partia sqaron se me depozitimin e dorëheqjeve janë përmbushur obligimet që burojnë nga vendimi i Kuvendit Qendror të RDK-së, për kthimin e mandatit të fituar.
RDK thotë se me dorëheqjet pranë Kuvendit dhe KSHZ-së, ka përfunduar procedura juridike për heqjen dorë nga mandati, përkundër siç thuhet, disa pengesave në interpretimin e ligjeve nga ana e institucionit ligjvënës. (Mefail Ismaili, TVM2)
