FAMILJA ZEQIRI

Llatinovski mbajti takim me familjen Zeqiri dhe fqinjët

15.05.2014 18:15

Me iniciativë të kryetarit të Komunës së Butelit, Petre Llatinovski, sot u realizua një takim i përbashkët mes përfaqësuesve të familjes Zeqiri, fqinjët e tyre, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe shefin e Stacionit Policor në Butel………

Me iniciativë të kryetarit të Komunës së Butelit, Petre Llatinovski, sot u realizua një takim i përbashkët mes përfaqësuesve të familjes Zeqiri, fqinjët e tyre, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme dhe shefin e Stacionit Policor në Butel. 

Pas këtij takimi, u kërkua që sulmi ndaj familjes Zeqiri në Radishan të Shkupit të mos përdoret për qëllime politike, si dhe institucionet kompetente të zbardhin rastin sa më shpejtë. Llatinovski kërkoi nga MPB-ja që të zbardhin rastin, që të gjithë qytetarët të kuptojnë se cila është e vërteta për këtë rast.

"Me zbardhjen e këtij rasti, shumë më lehtë do ta kemi të gjithë ne, që të mos fillojë ashtu siç kalon koha, ky rast të shfrytëzohet për qëllime krejtësisht të ndryshme. Unë mendoj se një gjë e tillë nuk duhet as të paramendohet, që rasti i familjes Zeqiri të shfrytëzohet për qëllime politike, pasi një gjë të tillë asnjë banorë i Komunës së Butelit nuk e dëshiron”, deklaroi kryetari i Komunës së Butelit, Petre Latinovski.

Por, Faik Zeqiri nuk beson se bëhet fjalë për sulme fëmijësh, sepse sulmet ndaj familjes së tij janë të njëpasnjëshme. Ai thotë se nga dita në ditë po vështirësohet jeta e tyre, sidomos tani që i vetmi i gjykuar për këtë incident është liruar nga gjykata.

“Ne 7 herë jemi  duke u sulmuar, kjo nuk ka lidhje me fëmijët që sillen. Kjo është ndonjë lidhje tjetër, direkt na bombardojnë, kurse kryetari i Komunës kërkoi që të ketë polici gjatë gjithë kohës, që të na mbrojë. Ne s’kemi problem me fqinjët, nuk besoj që ky problem do zgjidhet. Vështirë është bërë shumë të jetohet kështu. Fëmijët nuk mund të qëndrojnë në shkollë, nuk kanë shkuar 10 ditë”, tha një banor i Radishanit, Faik Zeqiri.

Sulmi  ndaj familjes Zeqiri në Radishan është evidentuar edhe në Komitetin e Helsinkit. Nga ky institucion thonë se shqetëson fakti që institucionet kompetente nuk ndërmarrin asgjë.

“Ne arritëm të realizojmë kontakt me disa pjesëtarë të familjes dhe pas këtyre kontakteve, shqetësimi im është edhe më i madh, sepse e kuptuam që kjo familje ballafaqohet me kësi lloj sulmesh vite me radhë, por vetëm pse incidenti ndodhi gjatë procesit zgjedhor, u evidentua. Deri më tani MPB-ja ka gjetur vetëm një kryerës të këtij sulmi. Për fat të keq sulmuesi do të përgjigjet vetëm për pjesëmarrje në rrahje edhe pse i njëjti i armatosur, në mënyrë direkte u është kërcënuar disa pjesëtarëve të kësaj familje”, u shpreh  drejtoresha e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska.   

Nga Komiteti i Helsinkit thonë se do të vazhdojnë të ndjekin këtë rast edhe në ditët në vijim. (Sanije Kasami, TVM2)