Rusia “ndërhyn” edhe në zgjedhjet në Francë
Franca tha se nuk do të pranojë ndërhyrjet e Rusisë.....

Franca tha se nuk do të pranojë ndërhyrjet e Rusisë ose të ndonjë vendi tjetër në zgjedhjet e saj presidenciale dhe se mund t’iu përgjigjet ndërhyrjeve të tilla me “masa hakmarrëse”.
Komentet e ministrit të Jashtëm francez vijnë disa javë pasi zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë dalë me përfundimin se hakerë të mbështetur nga Kremlini kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në ShBA më 2016 në favor të zgjedhjes së Donald Trumpit.
Kandidati pro-evropian për president të Francës, Emmanuel Macron, akuzoi, pak ditë më parë, Moskën për sulme kibernetike në ueb-faqen dhe e-mailet e fushatës së tij.
Kremlini i hodhi poshtë akuzat duke i cilësuar si absurde. Rusia po ashtu ka mohuar se ka ndërhyrë në zgjedhjet e nëntorit në ShBA për t’i ndihmuar Trumpit që të mposhtë kandidaten demokrate, Hillary Clinton.
Rusia është fajësuar edhe për një sulm kibernetik në Parlamentin e Gjermanisë në vitin 2015.
Politikanë gjermanë kanë paralajmëruar se zgjedhjet parlamentare të këtij vendi, që mbahen këtë vit, janë në rrezik nga “manipulime të jashtme” të hakerëve dhe të tjerëve që veprojnë për shtetin rus.
