Trump mbron Flynn, sulmon median

16.02.2017 12:36

Presidenti amerikan, Donald Trump, i doli në mbrojtje këshilltarit....

Presidenti amerikan, Donald Trump, i doli në mbrojtje këshilltarit të sigurisë kombëtare të shkarkuar këtë javë, duke thënë se Michael Flynn ishte viktimë e rrjedhjeve të paligjshme të informacionit nga ana e komunitetit të inteligjencës, me hollësi nga bisedat e tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington.

Duke folur në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë së bashku me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, presidenti Trump tha se Flynn “u trajtua shumë keq nga mediat”.

Ai nuk përmendi se përse e detyroi zotin Flynn të jepte dorëheqjen për atë që Shtëpia e Bardhë e cilësoi si rënie e besimit të presidentit ndaj ish-gjeneralit. “Mendoj se ishte vërtet diçka trishtuese që ai u trajtua aq keq”,– tha presidenti. “Mendoj se, përveç kësaj, komuniteti i zbulimit po u jep gjëra gazetave. Është vepër penale. Dhe po vazhdon prej një kohe të gjatë, edhe përpara meje. Por, tani po ndodh vërtet”, – tha ai.

Përpara kësaj, presidenti Trump sulmoi njoftimet e medias për lidhje të dyshuara mes tij dhe Rusisë, duke fajësuar komunitetin e zbulimit për ato që i quan rrjedhje të paligjshme informacionesh për agjencitë e medias.