Bujqit ankohen, shiu prishi dredhzat
Sasitë e shtuara dhe të shpeshta të shiut ditëve të fundit, kanë bërë që prodhimet e sezonit të prishen………

Shiu sa është i dobishëm për të mbjellat e bujqve, po aq është edhe i dëmshëm, thonë vet bujqit. Sasitë e shtuara dhe të shpeshta të shiut ditëve të fundit, kanë bërë që prodhimet e sezonit të prishen.
Bujku Mustafa Saiti nga fshati Gllumovë të Komunës së Sarajit, tregon se këtë vit për shkak të shiut, kovat i mbush me dredhëza të kalbura, të cilat është i detyruar t’i hedh në kosh të plehrave.
“Kemi mbjellë dredhëza dhe domate, janë dëmtuar dredhëzat që i kam pasur jashtë, dredhëzat janë dëmtuar nga shiu, janë kalbur shumë, ka shumë kokrra të prishura dhe dredhëzat nuk duan shumë ujë”, u shpreh bujku Mustafa Saiti.
Ai thotë se fatmirësisht disa kanë qenë të mbuluara, përndryshe mundi i tërë familjes do të kishte shkuar kot. Në pyetjen se nëse në kontinuitet vazhdon të bie shi, a do të vijojnë dëme më të mëdha, ai jep këtë përgjigje:
“Jemi në duar të Zotit, por po vazhdoi të bie shumë shi dhe të ulen temperaturat, keq. Shihni si janë kalbur, kam pastruar shumë, jemi në dëm”.
Dëmet janë më të mëdha te bujqit të cilët për shkak të të hollave nuk kanë arritur të mbulojnë me qese plastike prodhimet. Ndërsa informacionet e sinoptikëve duket se nuk janë ato që presin bujqit, pasi që sipas tyre mot me shi do të kemi edhe gjatë ditës së nesërme. (Rina Turkeshi-Saiti, TVM2)
