Maqedoni
Shënohet përvjetori i luftës së UÇK-së, Ahmeti: Shqiptarët i kanë fituar me gjak të drejtat
16.02.2017 16:41
Ushtria Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni është e rëndësishme për shkak se kjo ushtri ka kontribuar për të gjitha të arriturat e kombit shqiptar në Maqedoni, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti...

Ushtria Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni është e rëndësishme për shkak se kjo ushtri ka kontribuar për të gjitha të arriturat e kombit shqiptar në Maqedoni, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë vendosjes së luleve në shenjë të shënimit të ditës së themelimit të UÇK-së në Maqedoni, duke e cilësuar ditën e sodit si ditë të veçantë dhe të rëndësishme për shqiptarët.
“Sigurisht që unë nuk kam ardhur tani që të numëroj sukseset, sepse ai sukses është këtu shumë afër, Universiteti shqiptar “Nënë Tereza” dhe ai në Tetovë, Universiteti i Tetovës, dhe këtu vendosëm lulet pranë një shqiponje të merituar, për të cilën shqiponjë me shekuj shqiptarët kanë derdhur gjak dhe gjaku më i freskët dhe më i ri tani para 16 vitesh ne po e përkujtojmë sot, sepse të gjitha të drejtat i kemi realizuar me gjak”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tij dhe pjesëtarë të UÇK-së, të cilët vendosën lule te “Shqiponja” në Çair.
ERSAN PAJAZITI
