Maqedoni

Shpenzimet për Qytetin e Shkupit përplasin LSDM-në dhe VMRO–DPMNE-në

16.02.2017 17:43

Shpenzimet e Qytetit të Shkupit kanë përplasur VMRO-DPMNE dhe LSDM-në...

Nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski, e ka akuzuar qytetin e Shkupit se vitin e kaluar ka shpenzuar para në projekte joproduktive në vend se për projekte nga efikasiteti infrastrukturor dhe energjetik.
 
"Është shpenzuar për  fasada barok, sheshe, shatërvanë, ndërtesa administrative luksoze dhe për shpenzime tjera joproduktive. Koce Trajanovski nuk kishte para për masat e zvogëlimit të ndotjes së ajrit, komunikacionin nëntokësor në qendrën e qytetit, projekte për efikasitet energjetik, as për ura të reja dhe rrugë kryesore”,- deklaroi nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mancevski.
 
Ai shtoi se pas zgjedhjeve lokale në maj nga LSDM do të propozojnë ndërprerje të ndërtimit të Rrotës panoramike dhe projektit "Shkupi 2014".
 
Kanë reaguar nga VMRO-DPMNE. Në emër të partisë anëtari i Këshillit, Aleksandar Biçikliski, potencoi se LSDM me deklaratat e tyre tregojnë se sa janë të zbehtë, jo të sigurt dhe jo të bindshëm.
 
“Praktika në Maqedoni gjatë viteve të kaluara ka treguar se në kohën e qeverisjes së LSDM-së në RM nuk është ndërtuar asnjë shkollë e as ndonjë gjë që është në interes të qytetarëve. Vetëparaqitja e  tyre me tezën se nëse hipotetikisht vijnë në qeveri do t’i ndërpresin të gjitha punimet e projektit “Shkupi 2014”, e tregon destruktivitetin dhe jo risitë e tyre”,- tha Aleksandar Biçikliski nga VMRO-DMPNE.
 
Ndërsa nga VMRO-DPMNE projektin “Rrota panoramike”, të cilën e kundërshton LSDM, e arsyetojnë si trend në botë të cilën e ndjek edhe Shkupi.
 
GAZMEND KURTISHI