Maqedoni
Fondacioni “Albiz” ndau 218 bursa për studentët dhe nxënësit, si dhe bursa të dedikuara
16.02.2017 17:46
Fondacioni “Albiz” ndau 218 bursa për vitin shkollor akademik 2016/17...

Në këtë manifestim u shfaqën të arriturat dhe projektet e realizuara nga ana e Fondacionit “Albiz” për vitin 2016, si dhe në mënyrë solemne u ndanë bursat për studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme.
Gjithsej u ndanë 218 bursa, ku prej tyre: 40 bursa për nxënës, 160 bursa për studentë, si dhe 18 bursa të dedikuara. Fondacioni “Albiz” në kontinuitet ka rritur numrin e bursistëve dhe kjo tendencë do të vazhdojë përderisa ekzistojnë afaristët tanë të cilët kujdesen për shtyllën e shoqërisë e që ajo është rinia, theksoi drejtori ekzekutiv, z. Ilir Idrizi.
“Investimin për një shoqëri më të ngritur dhe gjenerata me përgjegjësi, që do t’i shpjerë përpara proceset, e konkretizuam nëpërmjet platformës edukativo-arsimore të programeve si: bursa për nxënës dhe studentë, trajnimeve për edukim joformal, ligjërata motivuese etj. Avancimi i kulturës ngeli një ndër prioritetet tona, ndaj veprimtaria botuese e Fondacionit “Albiz” u vendos në mbështetjen e librit, krijuesve letrarë, hulumtuesve të ri dhe rrymave të ndryshme letrare”,- deklaroi drejtori i Fondacionit “Albiz”, Ilir Idrizi.
Ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi, theksoi se nuk do të mungojë përkrahja e tyre institucionale çdoherë që do të ketë nevojë. Ai gjithashtu inkurajoji dhe kompanitë e tjera që t’i bashkëngjiten këtij misioni.
“Lidhja e Ministrisë së Drejtësisë me këtë fondacion është kryekëput pikë e përbashkët e jona, është Ligji për donacione dhe sponzorime dhe në këtë rast kemi pasur mundësinë dhe njëhërit nderin që si Ministri e Drejtësisë të ndihmojmë në aspektin administrativ, në punën e shkëlqyer dhe në të gjitha ato donacione dhe sponzorime të cilat i bën Fondacioni “Albiz” dhe donatorë të shumët shqiptarë për të ndihmuar dhe institucionalisht jemi munduar që sa më shpejtë t’i sjellim vendimet e mundshme për procedurat administrative”,- u shpreh ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferri.
Për në fund, Nexhat Shaini ndau mirënjohje për të gjithë donatorët e Fondacionit “Albiz” si shenjë falënderimi për mbështetjen e tyre. Ky është manifestimi qendror dhe një ndër projektet bazë të Fondacioni “Albiz”.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
