Maqedoni
Kthehen linjat 9 dhe 19 në qarkullim në Çair
16.02.2017 18:32
Autobusët e shtetit me numër 9 dhe 19 sërish do të qarkullojnë në Komunën e Çairit...

Shumica e këshilltarëve në Qytetin e Shkupit votuan pro kthimit të tyre, por jo edhe ato të jenë në numër të barabartë me autobusët privatë.
Këshilltarët shqiptarë kundërshtuan këtë vendim duke thënë se kjo nuk është e mjaftueshme dhe se është në kundërshtim me marrëveshjen paraprake të këshilltarëve me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovskin, që këto zona të mbulohen 50-50%.
“Sa i përket propozimit për autobusët 9 dhe 19, unë mendoj se propozimi është gjysmak dhe përafërsisht u pranua gjysma e saj, për të cilën ne e kemi biseduar dhe për të cilën u dakorduam”,- deklaroi këshilltari i BDI-së, Qemal Musliu.
Reagim tek këshilltarët e VMRO-DPMNE-së shkaktoi kundërshtimi i PDSh-së që u dha në formë të shkruar në gjuhën shqipe.
“Kemi vendosur të shfrytëzojmë të drejtën e rregullores që në 15 minutat e ardhshme, në formë të shkruar, të shprehemi kundër këtij vendimi dhe vazhdimit të degradimit dhe të mosrespektimit të barabartë të qytetarëve”,- tha këshilltari i PDSh-së, Idriz Orana.
Nga numri i përgjithshëm i autobusëve në linjën 9, 26% do të vozitet nga NQP, 74 nga autobusët privatë, ndërsa për linjën 19, 15 për qind do të mbulohet nga autobusët e NQP-së dhe pjesa tjetër me autobus privat. Trajanovski premton se këto linja do të plotësohen në të ardhmen.
“Do t’i kisha lutur këshilltarët të kenë mirëkuptim dhe të kuptojnë se në këtë moment aq na lejon thirrja publike e shpallur dhe ta lejmë këtë çështje ta zgjidhim bashkërisht në të ardhmen me thirrjet e reja publike për transportuesit”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Me implementimin e tërësishëm të sistemit elektronik në transportin publik, disa autobusë shtetërorë u ndërprenë, ndërsa të tjerët u radhuan tejmase. Qyteti ka parashikuar 16 nisje të reja në linjën me numër 12.
REXHEP QAMILI
