Pasuesi i Flynn, Harward, refuzon ofertën e Donald Trump

17.02.2017 12:57

Nën/Admirali në pension, Robert Harward i ka thënë jo ftesës së presidentit, Donald Trump...

Nën/Admirali në pension, Robert Harward i ka thënë jo ftesës së presidentit, Donald Trump, për të marrë postin e Michael Flynn.

Shtëpia e Bardhë doli me një deklaratë duke justifikuar refuzimin me çështje familjare dhe një karriere në sektorin financiar privat të Harward, por mediat amerikane thonë se shkak i refuzimit ka qenë këmbëngulja e tij për të përzgjedhur vetë stafin, këmbëngulje që nuk është pranuar nga Donald Trump.

Vetë Harward i qëndroi versionit të Shtëpisë së Bardhë. Duke folur nga Abu Dhabi, ku ndodhet si shef ekzekutiv i Lockheed Martin, 60-vjeçari tha se oferta e marrë nga Shtëpia e Bardhë ishte më se e kënaqshme, por për çështje personale e refuzoi atë. Megjithatë, ai as pohoi dhe as mohoi nëse i ka kërkuar presidentit që të ketë stafin e tij në këtë post. “Për këtë duhet të flasë presidenti. Nuk më takon mua”,- iu përgjigj ai pyetjes së adresuar nga Associated Press.

Michael Flynn u shkarkua nga detyra pas raportimeve se ende pa marrë postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare kishte diskutuar në disa telefonata me ambasadorin rus çështjen e sanksioneve, duke shkelur ligjin që u ndalon personave që nuk kanë marrë ende postin zyrtar që të përfshihen në çështje të politikës së jashtme.