Javën tjetër rikthehen autobusët 9 dhe 19 shtetërorë, qytetarët: Тë lëshojnë më shumë autobusë

17.02.2017 15:51

Autobusët 9 dhe 19 shtetërore, që do të lëshohen pjesërisht në qarkullim, nuk janë zgjidhje për nevojat e qytetarëve...

Kështu vlerësojnë të anketuarit e TVM2, sipas të cilëve lëshimi i tyre do të zbusë rrëmujën, por nuk zgjidh përfundimisht problemin me pritjet e gjata nëpër stacione. Për një komunë e cila është e mbipopulluar duhen lëshuar dy herë më shumë autobusë e jo të njëjtët të kufizohen, thonë qytetarët.

“Jo, as këto linja nuk do të jenë të mjaftueshme për ne, se ka shumë udhëtarë nëpër autobusë dhe shumë herë ndodh që të mos ketë vend”,- tha një qytetare. 

“Por, të kishte më tepër më mirë do të ishte”,- theksoi një qytetar.

“Nëse bëjmë një krahasim mes autobusëve shtetërorë dhe ata privatë, del që autobusët shtetërorë ofrojnë kushte më të mira për udhëtarët, andaj kërkesat për ta janë më të mëdha”,- theksoi një qytetare.

“Pa dyshim se duhet të ketë më shumë autobusë 9 dhe 19 shtetërorë, sepse asnjë autobus që drejtohen në këtë linjë nuk është i zbrazët”,- u shpreh një qytetar. 

Nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik për TVM2 informojnë se autobusët shtetërorë me numër 9 dhe 19 do të lëshohen në qarkullim nga java e ardhshme dhe se për momentin janë duke e përgatitur orarin e lëvizjes së tyre.

Këshilli i Qytetit të Shkupit dha dritë jeshile për t’i rikthyer këto linja, por nuk ndau numrin e autobusëve në mënyrë të barabartë mes ndërmarrjes shtetërore dhe private.

Nga numri i përgjithshëm i autobusëve në linjën numër 9, 26% do të voziten nga NQP, 74 për qind do të mbulohen nga autobusët privatë, ndërsa për linjën 19, 15 për qind do të mbulohet nga autobusët e NQP-së dhe pjesa tjetër me autobusët privatë. (Rexhep Qamili, TVM2)