Maqedoni
Radhitja në listën e “Hetrixh”, Miller: Luftoni korrupsionin dhe burokracinë
17.02.2017 16:19
Kriza politike në Maqedoni pengon zhvillimin ekonomik në vend, vlerëson drejtor i Qendrës për tregti dhe ekonomi në Fondacionin “Hetrixh”, Teri Miler...

Kriza politike në Maqedoni pengon zhvillimin ekonomik në vend, vlerëson drejtor i Qendrës për tregti dhe ekonomi në Fondacionin “Hetrixh”, Teri Miler, nga e cila dje Maqedonia u radhit në pozitën e 31-të sipas lirisë ekonomike.
Jostabiliteti ekonomik për shkak të krizës politike ka pamundësuar rritje më dinamike ekonomike, theksoi autori i indeksit.
Sipas tij, gjithsesi, vendi ka shumë punë për të bërë në përballjen me korrupsionin dhe burokracinë.
“Është vështirë kur keni sfida politike nëpër të cilat po kaloni, gjithashtu keni edhe krizën e refugjatëve në kufi. Kjo është përiudhë e rëndë, në veçanti për përparimin në lirinë ekonomike. Që Maqedonia të përmirësojë rejtingun e saj, duhet të vazhdoni reformat strukturore, të ballafaqoheni me korrupsionin dhe burokracinë, si dhe të formohet qeveria që vendi të mundet përsëri të fokusohet në ekonomi. Kam shumë shpresë se në të ardhmen, sapo të zgjidhet kriza politike, për çka nuk dyshoj, do të mund të shkoni përpara dhe të vazhdoni të përparoni”,- deklaroi autori i indeksit të Fondacionit “Hetrixh”, Terry Miller.
Në përgjithësi është vërejtur një rritje e vogël e lirisë ekonomike. Në Europë më shumë ka përparim në vendet skandinave. Vendet ballkanike janë pjesërisht të lira ekonomikisht, ndërsa ShBA-të kanë shënuar rënie në lirinë ekonomike me plasimin në vendin e 17-të në botë.
Sipas indeksit për liri ekonomike të Fondacionit “Heritixh”, në vitin 2017 është vërejtur rejting i përmirësuar në qindra shtete të botës.
GAZMEND KURTISHI
