Samiti global i grave lidere, panelistet: Femra lidere e lindur, ka pak mundësi
Në Maqedoni po mbahet Samiti global i grave lidere....

Në Maqedoni po mbahet Samiti global i grave lidere, në të cilin marrin pjesë mbi 300 gra nga pesë kontinente dhe rreth 40 paneliste. Në Maqedoni gratë përballen me probleme të shumta.
Ato fillojnë që nga stereotipat se disa gjëra nuk janë për gra, stereotip ky që fillon që nga punët e rëndomta e deri te politikbërja.
“Shohim një situatë kur femra ka të drejta të plota dhe të barabarta, por në praktikë pjesëmarrja dhe realizimi i atyre të drejtave mbesin shumë pas. Një nga ato sfera është ajo politike, ku femrat janë më shumë të ndihmuara të zhvillojnë përfaqësimin në parlament dhe në nivel lokal, por në qeveri dhe në komuna, në pozita të rëndësishme, ato janë të përfaqësuara shumë keq”,- deklaroi përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Maqedoni, Luiza Vinton.
Në ekonomi po vërehen përmirësime dhe në 20 vitet e fundit tejkalohet hendeku në lidhje të barazisë gjinore. Gjithsesi, në sektorin privat shqetësues është fakti se gratë paguhen 30% më pak se burrat për punën e njëjtë.
“Dallimi në pagë ekziston është një ndryshim i dukshëm prej 30% që nuk ndodh në institucionet shtetërore, ku pagesa për punën e njëjtë është e njëjtë për të gjithë. Mungojnë në masë të madhe edhe pozitat udhëheqëse të femrave menaxhuese. Femrat i gjen më shumë në sektorët e shërbimeve, por problematike mbeten pozicionet fitimprurëse”,- tha kryetarja e Shoqatës së grave biznesmene, Valentina Tisoska.
“Gjatë 20 viteve të fundit mund të shohim trendin që barazia gjinore po tejkalohet, por mbetet fakti që në Afrikë ka gra më shumë në pozita udhëheqëse se në Europë. Pse jo, në të ardhmen të mos kemi femër kryeministre apo presidente në Maqedoni”,- u shpreh kryetarja Lidhjes së Odave Ekonomike, Daniela Arsovska.
Shembulli i gruas lidere nuk duhet parë vetëm në aspektin ekonomik. Maqedonia mund të mos ketë pasur presidente, por ka nxjerrë gruan që frymëzoi me lidershipin e saj, të gjithë botën, shenjtoren shqiptare, Nënë Terezën.
“Bashkëqytetarja jonë, Nënë Tereza, e cila me jetën e saj modeste, me zemrën e madhe dhe vepra të mëdha është shembull se si mundemi të arrijmë në jetë me përkushtim dhe dashuri të sinqertë. E gjithë bota e njeh dhe është e fascinuar nga misioni i saj, e cila gjithë jetën ua përkushtoi atyre që kanë më shumë nevojë dhe është shembull i gruas lidere”,- theksoi zonja e parë e Maqedonisë, Maja Ivanova.
Forumin dyditor e organizon Lidhja e Odave Ekonomike në bashkëpunim me Shoqatën e grave të biznesit, ndërsa në të do të promovohet edhe Platforma globale e grave lidere nga sektori publik dhe privat, në të cilin për herë të parë përfshihen edhe gra lidere nga Maqedonia. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
