Maqedoni

Kosova feston Pavarësinë në Shkup, Ambasada feston me teatrin

17.02.2017 17:14

Në përvjetorin e nëntë të Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Maqedoni vendosi të festojë me art. Shfaqja “Pasardhësi” e Teatrit të Kosovës...

Në përvjetorin e nëntë të Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Maqedoni vendosi të festojë me art. Shfaqja “Pasardhësi” e Teatrit të  Kosovës, me regji të Sllobodan Unkovskit, solli në skenë veprën e njohur të Ismail Kadaresë, të përshtatur nga dramaturgu, Goran Stefanovski.
 
Edhe ambasadori i Kosovës, Ylber Hysa, thotë se festimet e sivjetme do të mbahen mend pikërisht për shkak të mënyrës të përzgjedhur ndryshe. Arti ndonjëherë bashkon popujt më shumë se veprimet e politikanëve.  
 
“Kur flet arti, ne tjerët do heshtim, dhe arti pikërisht është dimension përmes të cilit ne dëshirojmë të komunikojmë me njëri-tjetrin. Vetë tema është nga historia jonë e kaluar, e hidhur, e Ballkanit, të cilën nganjëhërë e harrojmë, por përmes kësaj gjuhe u munduam që publikut në Shkup, përmes kësaj gjuhe, t’i sjellim diçka që na bashkon. Ne gjithmonë do të përpiqemi që në mënyrë inventive të tregojmë që edhe pse jemi shtet i ri, të shohim të sjellim vlera, siç kanë treguar shpeshherë gjenerata e re e kosovarëve që nga Rita Ora e deri tek Majlinda Kelmendi, është kjo energji e re e këtij shteti të ri përmes të cilit ne mundohemi të tregojmë që jemi një realitet i ri dhe nga i cili s’duhet të frigohemi”,- deklaroi ambasadori i Kosovës në RM, Ylber Hysa.
 
Mënyra e tillë e festimit të Pavarësisë së Kosovës është pritur mjaft me interes nga të pranishmit. 
 
“Unë dua të përgezoj kolegët për këtë punë të mrekullueshme që ata e kanë bërë dhe shfaqja padyshim që ka lënë mbresa të kohës, e cila ka të bëjë me histori, ku mund të pranohet sot, mund të mos pranohet sot, sido që të jetë, është një pjesë e vlerave tona sado të këqija të qofshin”,- theksoi drejtori i Teatrit Shqiptar të Shkupit, Adem Karaga.
 
“Krijoj përshtypje pasi që ishte diçka e re. Në këtë rast, për ngjarjen e Pavarësisë së Kosovës, me diçka ndryshe nga herave tjera dhe mesazh i të kaluarës, varësisht se kush dhe në çfarë prizme e shikon, mendoj se kishte gjëra interesante, teatri sjell gjithmonë vlera dhe bën që ta shohim si të atillë me rastin e Pavarësisë së Kosovës”,- tha politikani, Fatmir Dehari.
 
"Pata një mocion shumë të mirë, për arsye se ishte ky takim, kjo festë ta quaj, se ne tani jemi në ditën para festës që e kemi në Kosovë, që festojmë nëntëvjetorin e Pavarësisë dhe është shumë me rëndësi edhe për Teatrin si insitucion, por edhe për Kosovën, por edhe për Maqedoninë”,- u shpreh një aktor.
 
“Në të gjitha fushat, Republika e Kosovës është një partner me Republikën e Maqedonisë, por medoemos edhe në vitet e ardhshme duhet të ketë shfaqje të tilla, shkëmbim edhe në këtë segment kulturor, edhe jo vetëm gjatë festave, por shpresoj që trupat e Teatrit të Republikës së Kosovës, aktorët do të jenë dhe do të shpeshtojnë pjesëmarrjet e tyre në kryeqytetin tonë”,- tha politikani, Driton Kuçi.
 
Ashtu siç tha ambasadori i Kosovës, dje foli arti dhe kjo është një pikënisje ndryshe e kuptimit të vlerave të vendeve fqinje, që duhet praktikuar më shpesh.  
 
SEMRA AJETI