Maqedoni

“Media Print Maqedoni”, gazetarët në grevë, i kërkojnë rrogat e mbetura

17.02.2017 17:34

Gazetarët e tre gazetave të botuesit “Media Print Maqedoni” filluan grevën e paralajmëruar për shkak të mospagesës së rrogave të janarit...

Të punësuarit në MPM thonë se me muaj nuk po arrijnë të vënë kontakt me menaxhmentin e kompanisë dhe së fundmi kanë mësuar përmes mediave të tjera që “Orka Holding” ka shitur aksionet e saj.
 
Kontrollin e Prokurorisë Speciale në ambientet e tyre grevistët e shohin si një gjë që nuk ka aspak lidhje me grevën, por vlerësojnë se ndoshta kontrolli i PPS-së ka detyruar bashkëpronarët të shesin aksionet. 
 
“Revolta tek të punësuarit ëshë evidente. Një pjesë e jona po realizon të drejtën e grevës në redaksitë e tyre. Nuk kemi dëshirë që situata të zgjasë deri në pafundësi, duam të negociojmë dhe t’i zgjidhim problemet. Është e trishtueshme që permes mediave mësojmë se kompania bashkëpronare “Orka Hollding” është larguar në kohë kur intensivisht mundohemi të bisedojmë. Vendimin për t’u larguar e kanë marrë në Këshillim udhëheqës më 12 dhjetor, ndërsa më 31 dhjetor përfundimisht janë larguar nga kompania. Përse e kanë bërë nuk e di, por e gjithë kjo ka filluar t’ju ngjajë kompanive të tjera që janë lëndë hetimi të PSS-së”,- theksoi gazetari i “Utrinski Vesnik”, Lubisha Stankoviç.
 
Sindikata e pavarur e gazetarëve mbështet të punësuarit në “Media Print”, në luftën për të marrë rrogat e tyre.
 
“Një periudhë më të gjatë vonohen rrogat, siç mora vesh, dhe revolta tek ta është ende më e madhe, pasi që udhëheqësia refuzon të bisedojë në këtë temë dhe të zgjidhet ai problem. Vlen të theksohet se greva do të realizohet sipas ligjit”,- u shpreh Vllado Apostollov nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve. 
 
Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë përkujton se shkelja e të drejtave sociale të gazetarëve nuk është vetëm shkelje e të drejtave të tyre të punës, por edhe goditje e fortë ndaj lirisë së mediave. “Ftojmë të gjithë gazetarët dhe median të përkrahë grevën e gazetarëve të gazetave “Dnevnik”, “Utrinski Vesnik” dhe “Vest”, për të ndërprerë praktikën që mediat të shërbejnë si mjete për realizimin e interesave të pronarëve të mediave dhe pushtetit. Interesat e tyre politike dhe ekonomike nuk guxojnë të përplasen mbi kurrizin e gazetarëve”. 
 
ShGM fton menaxhmentin e kompanisë që menjëherë t’i plotësojë kërkesat e Këshillit grevist për pagesën e rrogave edhe honorareve. 
 
ERSAN PAJAZITI