Maqedoni

Rasti “Kumanova”, Sokoli: Policët u vranë nga kolegët e tyre; Mbrojtja: Të dëshmojnë politikanët

17.02.2017 17:48

Procesi gjyqësor për “Rastin e Kumanovës” vazhdoi me dhënien e deklaratës mbrojtëse të të akuzuarit, Sami Ukshini, I njohur si komandant Sokoli....

Ai filloi deklaratën e tij mbrojtëse duke thënë se ai nuk ishte organizatori i incidentit dhe nuk ndjehet fajtor. Sipas tij, nëse do të kishte qenë ai organizatori nuk do të ishte në burg.
 
Ukshini tha se nuk ka qenë në Gushincë dhe kontaktin e parë me grupin e ka pasur në 26 prill. Shpjegoi se kishte ardhur në Maqedoni me thirrje të Xhafer Zymberit dhe me porosi nga Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj, për të ndihmuar shqiptarët e Maqedonisë në realizimin e të drejtave të tyre.
 
Ukshini tha se ishte bërë pjesë e grupit për shkak të presionit të shokëve të luftës. Ai në deklaratën e tij theksoi se policët e vrarë ranë viktimë nga kolegët e tyre.
 
“Policia e këtij shteti masovikisht ka sulmuar. Në bazë të plagëve shihet se janë vrarë nga kalibër i rëndë, që ne nuk e kemi poseduar”,- shtoi Sokoli më tutje në rrëfimin e tij. Ai gjithashtu akuzoi tani më të ndjerët, Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj, si organizatorë të kësaj ndodhie, duke pretenduar se përfshirja e tij në mesin e grupit ka qenë konstruktive për t’i bindur dy të lartpërmendurit që të tërhiqen.
 
Në përmbyllje të dëshmisë, Ukshini akuzoi qeverinë për inskenim të rastit, por nuk përmendi emra konkretë. Duke u bazuar në dëshmitë e deritanishme, por edhe në deklaratën mbrojtëse të Sami Ukshitit, avokatja, Artene Ademi-Iseini, tha se shumë persona zyrtarë dhe politikanë duhen thirrur në seancë që të shfajësohen nga përgjegjësia për veprime apo mosveprime në këtë incident.
 
“Nga të gjitha provat e prezantuara nga ana Prokurorisë dhe deklaratës mbrojtëse të Sami Ukshinit, as përafërsisht nuk vërtetohet e njëjta. Përkundrazi, të gjithë barrën ua hedh politikanëve dhe politikës. Përgjegjësit dhe pasojat e kësaj ngjarje duhet të kërkohen te politika. Sami Ukshini nuk ka qenë organizator i këtyre ngjarjeve dhe nuk mund t’i dijë komunikimet direkte se për cilët persona bëhet fjalë, mirëpo Porkuroria është ajo e cila duhet ta hetojë në mënyrë të mirfilltë... Sipas këtyre deklaratave, ekziston dyshimi i bazuar perzumcioni i fajësisë të shumë personave përgjegjës të institucioneve të cilët duhet të vijnë dhe të shfajësohen apo edhe të dëshmohet edhe fajësia, qoftë për veprim ose mosveprim”,- theksoi avokatja, Artene Ademi-Iseini.
 
Seanca e radhës pritet të mbahet më 23 shkurt me dëshminë e Muhamed Krasniqit, i njohur si komandant Malisheva. Avokatët kanë theksuar se faktet që do të prezantohen do të dëshmojnë se të akuzuarit kanë qenë viktimë e inskenimeve politike.
 
SANIJE DURAKU