VËRSHIME,RAJON

Vërshime në disa vende të rajonit, tre të vdekur

15.05.2014 18:56

Më shumë se 500 njerëz janë evakuuar nga pjesët perëndimore dhe jugperëndimore të Serbisë…..

Disa vende ballkanike janë përfshirë nga vërshimet e mëdha. Në Serbi, tre persona njoftohet të kenë humbur jetën, ndërsa pas dy ditë reshjesh të furishme, është shpallur gjendja e jashtëzakonshme në zonat e goditura rëndë.

Më shumë se 500 njerëz janë evakuuar nga pjesët perëndimore dhe jugperëndimore të Serbisë.

“Ka vërshuar lumi Skrap, Morava, Zhetinja, faktikisht po noton një numër i madh i Komunës”, tha një qytetarë.

Edhe në Bosnjë, qindra shtëpi kanë mbetur në izolim pas rritjes së nivelit të lumit Milaqka, i cili kalon përmes Sarajevës.

Rreth 3 mijë e 500 shtëpi në Sarajevë kanë mbetur pa rrymë. Autoritetet thanë se punonjësit e shërbimeve emergjente janë duke ofruar ushqim dhe ilaçe për ata të cilët nuk kanë mundur të largohen nga shtëpitë e tyre.

Po ashtu njoftohet për vërshime edhe në Bullgari, Rumani dhe Hungari. Ndërsa edhe Kroacia po përballet me mot të keq. Në zonat e vërshuara, janë mbyllur  shkollat, ndërsa mijëra qytetarë kanë mbetur pa rrymë. (Rejhane Metaj, TVM2)