Botë

SHBA thotë se liderët e ISIS-it po arratisën nga Raqqa e Sirisë

18.02.2017 15:15

Pentagoni thotë se liderët e grupit ekstremist, Shteti Islamik kanë filluar të arratisen nga qyteti sirian Raqqa...

Pentagoni thotë se liderët e grupit ekstremist, Shteti Islamik kanë filluar të arratisen nga qyteti sirian Raqqa derisa luftëtarët kurdë që e kanë mbështetjen amerikane kanë shtuar sulmet ndaj caqeve të ISIS-it në këtë qytet.

“Ne po shohim se si shumë liderë të rëndësishëm të ISIS-it, shumë nga burokratët e tyre kanë filluar të largohen nga Raqqa”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Davis.

Ai ka thënë se disa pjesëtarë të ISIS-it janë në arrati në drejtim të lindjes përgjatë lumit Eufratë, pasi që “fundi është afër në Raqqa”.

Pentagoni thotë se eksodi është shenj se përpjekja për izolimin e ekstremistëve në kryeqytetin e vetëshpallur të ISIS-it, Raqqa është duke dhënë rezultate.

Megjithatë, Pentagoni nuk e parashikon kolapsin e grupit militant, ndërsa analistët thonë se ata presin betejë të gjatë për Raqaa.