Botë

Tiranë, PD proteston kundër qeverisë Rama

18.02.2017 15:38

Partia Demokratike në Shqipëri sot mban protestë kundër Qeverisë Rama...

Protesta është paraparë të fillojë në ora 12:00, por nuk dihet se kur do të përfundojë, pasi siç është paralajmëruar janë qytetarët ata që do të vendosin për përfundimin e saj.

Në një thirrje të fundit për pjesëmarrje, Lulzim Basha foli për një vendim të madh.

Ai tha se është i bindur se e nesërmja do të jetë një festë gjigante demokracie, shprehja më e drejtpërdrejtë e vullnetit të qytetarëve për t’i dhënë fund së keqes, për të marrë së bashku një vendim të madh nesër për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Demokratët e lidhin këtë vendim me një përpjekje për të detyruar kryeministrin Rama të japë dorëheqjen.

Opozita e akuzon kryeministrin për mungesën e vullnetit për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, por nga skenari i 18 shkurtit tani për tani njihet vetëm koha e nisjes së protestës.

Megjithatë, një vendim është marrë, protesta do të jetë paqësore, pavarësisht nëse vendimi i madh do të jetë për një qëndrim të gjatë përpara kryeministrisë, apo për zgjerim të protestës në të gjithë vendin.

Ndryshe, Policia në Tiranë, ka marrë masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike për zhvillimin e protestës nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri tek kryqëzimi i Rrugës “Ismail Qemali” me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.