Programi për vetëpunësim, grande prej 4.000 eurosh për të hapur biznes

20.02.2017 15:40

Të gjithë personat e papunë në 10 ditët ardhshëm do të mund të aplikojnë...

Të gjithë personat e papunë në 10 ditët ardhshëm do të mund të aplikojnë  për grande për vetëpunësim, me vlerë prej 4000 mijë euro të dedikuara për hapjen e biznesit personal.

Me masat për vetëpunësim sipas planit operativ për vitin 2017 është paraparë të punësohen 1050 persona të papunë dhe të hapen 1000 mikro-biznese të reja. Programi për vetëpunësim përfshin trajnime për sipërmarrësi, ndihmë në krijimin e një plani të qëndrueshëm të biznesit dhe grande të pakthyeshme gjatë fillimit të biznesit.  

“Për realizimin e çdo vetëpunësimi është paraparë mbështetje me mjete të pakthyeshme me vlerë prej 263 mijë 940 denarë, prej të cilave 246 mijë denarë në formën e mbështetjes së drejtpërdrejtë për blerjen e mjeteve materialeve, 17 mijë 940 denarë kanë për qëllim mbështetjen në formën e trajnimit për sipërmarrësi dhe udhëheqjen e biznesit. Personat të cilët do të hapin biznes personal do të kenë mundësi të punësojnë edhe persona për të cilët do të marrin mjete shtesë prej 92 mijë denarë me kusht që ta mbajnë në punë më së paku 12 muaj”,- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.

“Të interesuarit do të mund të aplikojnë për trajnim duke i plotësuar pyetësorët. Në bazë të kësaj do të fitojnë vauçer dhe një ekspert për punim të biznes-planit. Pastaj biznes-plani do të vlerësohet nga ekspertët se a mund të marrin grande për hapjen e biznesit”,- theksoi drejtori i Agjencisë për Punësim, Vllatko Popovski.

Programi për vetëpunësim po realizohet për të 11 herë me radhë, ndërsa për këtë vit janë paraparë gjithsej 283 milionë denarë. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)