Osmani: Draft-ligji për gjuhën, nuk ndryshon
BDI dhe LSDM vazhdojnë me konsultat brendapartiake...

“Aleanca për shqiptarët” pret takim me LSDM-në për të sqaruar qëndrimet
Nga “Aleanca për shqiptarët” thonë se brenda javës do të ketë një takim me përfaqësues të LSDM-në për të sqaruar më konkretisht me ta se cilat janë vijat e kuqe të dy partive, në mënyrë që më pas Aleanca të vendosë nëse do t’ia japë apo jo nënshkrimet Zaevit. Nga Aleanca mbeten në qëndrimin se duhet zbatuar në përpikëri gjithçka që gjendet në deklaratën e nënshkruar nga tre partitë parlamentare shqiptare. Aleanca e llogarit tryezën e liderëve si projekt kombëtar.
Lëvizja “Besa”: Jo në një tryezë me kryefajtorët për këtë gjendje
Por, qëndrim ndryshe rreth deklaratës dhe tryezës ka Lëvizja “Besa”. Për partinë e Kasamit, tryeza nuk është konstituuar.
“E vërteta është se, në relacion me tryezën e partive parlamentare shqiptare në Maqedoni, qëndrimi i Lëvizjes BESA ka qenë se nuk pranon takim që iniciohet me ftesë të kryetarit të BDI-së në Shkup dhe kjo ka qenë e njohur për opinionin. Ai që ishte fajtori kryesor që BESËS iu morën dy deputetë për t’iu dhënë VMRO-së dhe i cili për 15 vjet e nëpërkëmbi interesin shqiptar, për çka flet edhe përmbajtja e Deklaratës (që erdhi vetëm pas paraqitjes së BESËS në skenë), dhe ai që nuk ka më legjitimet të përfaqësimit të shqiptarëve, nuk është i denjë as të ftojë takim të partive shqiptare në Maqedoni. Ai mund të jetë kryeplak për ndonjë parti a aleancë tjetër, por për ne ai është kryefajtori i gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni”,- thonë nga Lëvizja “Besa”.
Ndërkohë, që pas dështimit të Gruevskit për të formuar qeverinë, nga partia e tij vijojnë të kërkojnë zgjedhje të reja, për çka numri më i madh i partive në vend dhe bashkësia ndërkombëtare janë shprehur kundër. (Naim Ramadani, TVM2)
