Prokuroria Publike Speciale, hetime nën presionin e afateve ligjore, Zhbogar: PPS-së i nevojitet ende kohë për hetimet
Katica Janevës dhe ekipit të saj i kanë mbetur gjithsej edhe 4 muaj kohë.....

Katica Janevës dhe ekipit të saj i kanë mbetur gjithsej edhe 4 muaj kohë për të hapur dhe për të proceduar lëndë të reja hetimore për vepra penale që dalin nga “bombat” e LSDM-së, respektivisht nga ndjekja e paligjshme e komunikimeve.
Sipas ligjit, PPS ka gjithsej 18 muaj afat për të hapur aktakuzë apo për të mbyllur procesin hetimor për lëndën e caktuar. Lënda e parë për të cilën PPS ngriti procedurë hetimore ishte rasti “Puç”.
Si rezultat i mossigurimit të dëshmive të mjaftueshme për këtë lëndë, Katica Janeva ditë më parë njoftoi Këshillin e Prokurorëve për vendimin e PPS-së që tërhiqet nga lënda për rastin “Puç”.
Këshilli i Prokurorëve gjatë takimit me Janevën kërkoi sqarime shtesë nga e njëjta për arsyet e tërheqjes nga lënda në fjalë, ku në mesin e pesë personave të dyshuar i akuzuar është edhe lideri i opozitës, Zoran Zaev.
Edhe pse nga PPS shpjegojnë se janë tërhequr nga lënda sepse është në kundërshtim me dëshmitë në procedurat hetimore “Target” dhe ‘Fortesa’, nga Këshilli thonë se fillimisht do të bëjnë vërtetimin e saktësisë ligjore për anulimin e hetimit. Vazhdimi i mandatit të PPS-së është një nga vijat e kuqe për të cilat BDI dhe VMRO kanë pasur qëndrime diametralisht të kundërta gjatë negociatave dhe pikërisht kjo çështje ka qenë vendimtare në prishjen e marrëveshjes mes dy partive fituese të zgjedhjeve të 11 dhjetorit.
Shefi i misionit të Bashkimit Europian në Shkup, Samuel Zhbogar, deklaron se Prokurorisë së përgjithshme Speciale i nevojitet më tepër kohë dhe hapësirë për zbardhjen e përgjegjësisë ligjore që lidhet me skandalin nga materialet e përgjuara.
“Prokuroria Speciale u formua për një qëllim dhe kjo nënkupton përcaktimin e përgjegjësisë ligjore që buron nga skandali i materialeve të përgjuara. Mendoj që Prokurorisë Publike Speciale duhet që t’i jepet më tepër kohë për ta finalizuar punën e saj”,- deklaroi ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.
Edhe përkundër pengesave, Specialja i vazhdon hetimet. Pas kontrollit në “Media Print”-Maqedoni, hetuesit e PSS-së kanë hyrë edhe në televizionin Kanal 5. Nga PPS as nuk i pohojnë e as demantojnë lajmet se fokusi aktual i hetimeve të speciales janë mediat. (Merita Gashi, TVM2)
