Maqedoni
Të akuzuarit në rastin “Sopoti’: jemi të pafajshëm, por e zvarrisin vendimin; Rasti “Sopoti”, të akuzuarit e kërkojnë ndihmën e PPS-së
20.02.2017 18:06
Gjykata Penale e Shkupit anulon seancën gjyqësore për rastin “Sopoti” meqë nuk kanë marrë dosjen...

Seanca e radhës është caktuar për më 28 prill. Të akuzuarit thonë se kanë kaluar 14 vite, ndërkaq lënda më kot po zvarritet dyerve të gjykatave.
“Për ne duhet të angazhohen maksimum se e dinë krejt që jemi të pafajshëm, duhet të punojnë më shumë pasi që u bënë shumë vite, u bë monoton për ne kjo tanimë 14 vite, eja, ktheju, anulo. Nuk di çka të them, katastrofë e madhe”,- theksoi i akuzuari për rastin “Sopoti”, Zenel Klaiqi.
Sulejman Sulejmani është shumë i sëmurë, por gjykata nuk e merr parasysh gjendjen e tij dhe e detyron që jo vetëm të paraqitet në çdo seancë, por edhe të lajmërohet çdo dy javë në gjykatë.
“Me e dit që pa faj dhe me ta çu jetën duke ardhur këtu, ke apo s’ke, patjetër duhet me ia bë qarën. Kur jemi pa faj, përse nuk mundohen nga pak të na ndihmojnë. Çdo të dytën javë duhet në gjyq në Kumanovë të shkojmë edhe të lajmërohemi, është e tepërt”,- deklaroi i akuzuari për rastin “Sopoti”, Sulejman Sulejmani.
Samet Lutfiu kërkon drejtësi vetëm nga institucioni Prokurori Speciale, pasi nuk i beson Prokurorisë së rregullt.
Por, Këshilli Prokurorëve assesi nuk pranon që t’ia kalojë kompetencat këtij institucioni të ri.
“Ne duam që ajo të marrë lëndën sa më shpejtë, por ju e shihni se partitë tona çfarë po bëjnë edhe s’mund ta merr... Të gjithë sytë i kemi nga Prokuroria Speciale dhe i lusim që sa më shpejtë ta marrin lëndën dhe të ndodh diçka me ne, se mjaft ishte e gjithë kjo tani e sa vite”,- theksoi i akuzuari për rastin “Sopoti”, Samet Lutfiu.
Në procesin gjyqësor “Sopoti”, 11 shqiptarë u dënuan me 156 vite burg.
Aktakuza ishte për vendosjen e një mine në vitin 2003, në fshatin Sopot, pas çka u vranë dy ushtarë polakë të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil.
Gjashtë prej personave të dënuar kanë vuajtur mbi shtatë vite në burg, ndërsa pesë prej të akuzuarve u dënuan në mungesë.
MERAL ISMAILI
