Maqedoni
Vazhdon greva në MPM, grevistët: janë shtuar presionet ndaj nesh
20.02.2017 18:20
Vazhdon greva e Sindikatës së pavarur të punëtorëve në “Media Print” - Maqedoni...

Edhe pse deri tani të punësuarit në gazetat ditore “Utrinski Vesnik”, “Dnevnik” dhe “ Vest” bënin grevë të pjesshme prej katër orësh, ata kanë vendosur që të ndërpresin punën për gjashtë orë në ditë, deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre.
Edhe përkundër grevës, nga menaxhmenti nuk ka asnjë përgjigje, madje grevistët thonë se janë shtuar presionet ndaj tyre.
“Në 21 shkurt do të dalë numri i 5000-të i gazetës ditore “Vest”. Fatkeqësisht, redaksia do ta përgatisë këtë botim jubilar nga pozita e grevës. Gjatë ditëve të kaluara, në vend që të zhvillohet biseda për zgjidhjen e problemeve, janë shtuar presionet ndaj të punësuarve me thirrje telefonike, kërcënime për largim nga puna dhe dënime”,- deklaroi kryetarja e Këshillit grevist të “Vest”, Aleksandra Spasevska.
Edhe pas lajmërimit të “Orka Holding” që e ka shitur pjesët e saj në këtë kompani, ajo mbetet në pronësi të Sergjan Kerim, i cili akoma nuk ka kontaktuar asnjërin nga të punësuarit.
LEUNORA KALIQI
