Ukrainë, hyn në fuqi një tjetër marrëveshje armëpushimi
Një tjetër marrëveshje armëpushimi ka hyrë sot në fuqi në Ukrainën lindore pas marrëveshjes që arritën përfaqësuesit e Qeverisë...

Një tjetër marrëveshje armëpushimi ka hyrë sot në fuqi në Ukrainën lindore pas marrëveshjes që arritën përfaqësuesit e Qeverisë ukrainase dhe ruse në Konferencën e Sigurisë së Munihut.
Aktualisht, situata vijon të mbetet e tensionuar pasi përgjatë 30 muajve palët kanë pasur vazhdimisht përplasje të armatosura.
Në bazë të akordit të ri, ushtria e Ukrainës dhe rebelët separatistë që mbështeten nga Rusia duhet që të tërheqin armët dhe makineritë e rënda ushtarake larg frontit të luftës, veprim që supozohet t’i hapë rrugën negociatave për të gjetur një zgjidhje politike.
Diçka e tillë duket si një skenar mjaft i vështirë, pasi ministrat e jashtëm të katër vendeve nuk kanë shënuar progres në bisedimet për dhënien fund të konfliktit.
Ukraina pretendon se Rusia e ka dhunuar rëndë sovranitetin e saj, fillimisht me Gadishullin e Krimesë, e më pas me mbështetjen e separatistëve në pjesën lindore të vendit.
Nga ana tjetër, Moska ka deklaruar se do të vijojë të mbështesë përpjekjet e rebelëve për të vendosur fatin e tyre në mënyrë demokratike.
Në takimin katërpalësh, perëndimorët kanë lëshuar edhe një apel për Rusinë, të cilës i kërkojnë që t’u përmbahet zotimeve të saj në Marrëveshjen e Minskut.
