Botë
ShBA, McMaster - këshilltar i ri i sigurisë kombëtare
21.02.2017 10:28
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka emëruar këshilltarin e ri të sigurisë kombëtare...

Ai është gjenerali, Herbert Reimond McMaster, dhe do të zëvendësojë në këtë post Michael Flynn, ish-këshilltarin që u detyrua të japë dorëheqjen, pasi nuk tregoi të vërtetën për bisedimet e zhvilluara me ambasadorin rus në ShBA.
Trump e përshkroi këshilltarin e ri si një njeri me talent, eksperiencë të jashtëzakonshme dhe tepër të respektuar në ushtri.
Zgjedhja e parë e Trumpit, zëvendësadmirali në pension, Robert Harvard, refuzoi postin duke cituar shkaqe personale.
“Atë e respekton çdokush në ushtri dhe jam shumë i nderuar ta kem pjesë të skuadrës time”,- tha presidenti i ShBA-ve, Donald Trump.
Përveçse ka shërbyer në Afganistan dhe Irak, gjenerali ka pasur një rol të rëndësishëm edhe në luftën e Gjirit. Mcmaster e quajti një privilegj emërimin pozicionin e ri.
“Ju falënderoj shumë, zoti president. Po pres me padurim t’i bashkohem ekipit të sigurisë dhe do të bëj gjithçka për të mbrojtur interesat e popullit amerikan”,- u shpreh këshilltari i sigurisë së ShBA-ve, Herbert Raymond Mcmaster.
Mcmaster është radhitur nga revista “Time” mes 100 personave me më shumë ndikim në vitin 2014, duke thënë se ai mund të jetë luftëtari-mendimtar më i spikatur i shekullit XXI. Pikërisht qëndrimi i tij kritik ka bërë që shumë analistë të pyesin se si do të përballet ai me një Shtëpi të Bardhë që nuk është aspak dashamirëse ndaj kritikave.
LEUNORA KALIQI
