Ulen fondet e ndihmave për Afrikën, nevojë urgjente për ushqim për miliona njerëz
Operacionet e refugjatëve në 10 vende afrikane....

Operacionet e refugjatëve në 10 vende afrikane të cilat i furnizojnë ata me ndihma ushqimore, po përballen me uljen rapide të sasisë së ushqimit dhe rënies së cilësisë së ndihmave.
Nga Programi botëror i ushqimit dhe Zyra e komisionerit të lartë të OKB-së për refugjatët thonë se kjo është pasojë e dyfishimit të numrit të refugjatëve.
Ndihmat ushqimore në të shumtën e rasteve janë shkurtuar deri në 50% dhe kjo ulje përfshin operacionet në Kamerun, Çad, Kenia, Ugandë dhe në Sudanin Jugor.
Në këtë të fundit, uria ka çuar 100 mijë njerëz në prag të vdekjes dhe rreth 5 milionë të tjerë, ose më shumë se 40% e popullatës së vendit, kanë nevojë urgjente për ndihmë.
“Numri i refugjatëve në Afrikë përafërsisht është dyfishuar nga 2.6 milion në vitin 2011, në rreth 5 milionë në vitin 2016. Edhe pse financimi nga donatorët për refugjatë është rritur gjatë kësaj periudhe, kjo nuk ka ndihmuar të jemi në vijën e njëjtë me rritjen e shpejtë të kërkesave të tyre. Si rezultat i kësaj, shërbimet humanitare nuk janë të mjaftueshme, e cila ka detyruar edhe shkurtime në ofrimin e ndihmës ushqimore për disa grupe të refugjatëve”,- deklaroi zëvendësi në OKB Farhan Haq.
Programi botëror i ushqimit i OKB-së dhe organizata të tjera joqeveritare paralajmërojnë se më shumë se 1 milionë fëmijë po vuajnë nga kequshqimi akut. Lufta ka goditur rëndë bujqësinë dhe i ka lënë njerëzit me pak mundësi zgjedhjeje. Njerëzit shpesh gërmojnë për ushqim për të mbijetuar.
Uria është një tragjedi e shkaktuar nga njeriu, ndaj ata apelojnë për një fund të luftimeve në mënyrë që ndihmat të mund të shkojnë tek njerëzit në nevojë. Javën e kaluar, Kombet e Bashkuara paralajmëruan se 1.5 milionë njerëz ishin larguar nga Sudani Jugor duke kaluar kufirin me Ugandën, për t’i shpëtuar luftimeve në vend, duke krijuar kështu edhe krizën më të madhe të refugjatëve në Afrikë. (Leunora Kaliqi, TVM2)
