Maqedoni
Memorandum-bashkëpunimi, tejkalim i disbalancit gjinor në tregun e punës
21.02.2017 15:31
Qendra për punësim në qytetin e Shkupit dhe 11 shoqata joqeveritare që kanë si target grup femrat...

Qendra për punësim në qytetin e Shkupit dhe 11 shoqata joqeveritare që kanë si target grup femrat, nënshkruan memorandum bashkëpunimi përmes të cilit do të mundësohet përforcimi ekonomik i femrave të të gjitha moshave dhe përfshirja e tyre më e madhe në tregun e punës, ku vëmendje më e veçantë do t’u kushtohet kategorive të brishta dhe personave me aftësi të kufizuara.
“Vetëm përmes masave stimuluese, që nga 2007 deri në 2017, më shumë se 3.100 femra kanë hapur bizneset e tyre private. Përmes masave aktive për punësim, sivjet planifikojmë të përfshijmë 41.000 persona që pritet të hapin 10.000 vende të reja pune. Në këtë plan operativ, gratë do të përfshihen në minimum 30%. Përfshirja e grave në të gjitha masat aktive në këto 10 vitet e fundit e ka kaluar shifrën prej 45%”,- deklaroi drejtoresha e Qendrës për Punësim – Shkup, Sllobodanka Aleksovska.
Pjesëmarrja e grave në biznes kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit, thonë nga shoqatat që merren me gratë sipërmarrëse.
Për të rritur numrin e grave sipërmarrëse nevojitet edukimi i grave dhe t’u shpjegohen masat stimuluese për të filluar biznesin.
“Të punojmë që nga edukimi i grave e deri tek zbatimi i masave, por edhe te zhvillimi dhe rritja e strategjisë për gratë sipërmarrëse, të cilat besoj se do t’i sjellim këtë vit”,- tha Valentina Disovska nga Shoqata e grave në biznes.
“Qëllimi i vetëm për të cilin jemi mbledhur këtu është që t’i mbështesim të gjitha masat dhe aktivitet, me qëllim që të tejkalohet disbalanci gjinor i tregut të punës”,- theksoi Lenka Ugrinovska nga Shoqata e grave menaxhere.
Shoqatat që merren me nxitjen e gruas në hapjen e bizneseve të tyre shpresojnë që përmes këtij memorandumi t’i ndihmojnë të gjitha femrat që duan të merren me biznes, sepse praktika ka treguar se një numër i madh biznesesh të suksesshme drejtohen pikërisht nga femra.
ERSAN PAJAZITI
