Maqedoni

I ngordhin 25 lopë për një muaj, Ibishi: Nuk e di çfarë po ndodh, pres analizat

21.02.2017 15:53

Fermeri, Semi Ibishi, nga Shkupi, ka një muaj që zgjohet me frikën se mos edhe këtë mëngjes i ka ngordhur ndonjë nga lopët e tufës së tij...

Nga 55 sa ka pasur gjithsej, tashmë atij i kanë ngordhur 25 lopë. Ai për TVM2 thotë se arsyeja e ngordhjes së bagëtive mbetet mister, të cilin ai nuk mund ta parandalojë dot.
 
“Më ndodhi një fatkeqësi,  më kanë ngordhur 25 lopë. Ka një muaj që ka nisur kjo. Një ditë dy, tjetrën tre dhe më pas pesë lopë, u bënë 25 lopë të ngordhura. Unë para ca kohësh bleva 25 lopë prej një shok nga Kumanova, ka mundësi që ato të kenë qenë të sëmura që atëherë, por unë me saktësi nuk e di. Deri tani, 15 vite punoj nuk më ka ndodhur një gjë e tillë”,- deklaroi fermeri, Semi Ibishi.
 
Ibishi thotë se ka informuar autoritetet e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari. Inspektorët kanë marrë mostra nga ushqimi dhe vetë kafshët e ngordhura për të vërtetuar shkaqet.  
 
“Unë kërkoj që të zbulojnë se përse ngordhin lopët dhe kërkoj dëmshpërblim nëse më takon, a sa e di unë më takon për këto lopë të ngordhura deri tani. Tani më kanë mbetur vetëm 30 lopë, unë kam në plane t’i shtoj në të ardhmen, t’i bëj mbi 150, e jo të më ngordhin”,- theksoi fermeri, Semi Ibishi. Dëmi i shkaktuar kap vlerën prej 15 mijë euro. 
 
Por, nuk është vetëm ngordhja e lopëve ajo që përbën problem për Ibishin. 25 lopët e ngordhura të Semi Ibishit disa ditë me radhë gjenden përgjatë rrugës magjistrale për në Bllacë. Askush deri tani nuk e ka marrë mundimin ta ndihmojë fermerin t’i groposë lopët dhe të dezinfektojë vendin ku ato do të groposen.
 
Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se rezultatet do të dalin javën që vjen, por nuk përjashtojnë mundësinë se shkaku i ngordhjes mund të jetë edhe ndonjë sëmundje.
 
REXHEP QAMILI